E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD kundër votimit me shumicë të cilësuar

Deputeti Eduard Halimi: I papranueshëm çdo propozim që deformon kriteret kushtetuese

Mazhoranca është e vendosur për të ndjekur të gjitha procedurat standarde që vendos ligji për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, pa marrë parasysh qëndrimet e përfaqësuesve të opozitës në lidhje me këtë çështje. Në një prononcim për “Shqip”, deputeti demokrat i Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore, Eduard Halimi, deklaroi se mazhoranca nuk mund të pranonte të deformonte ligjet e vendit. Duke komentuar kështu deklaratën e bërë nga sekretari për çështjet ligjore të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, që ofroi një votim me shumicë të cilësuar. “Ne jemi absolutisht të vendosur për të zbatuar çdo germë të ligjit dhe Kushtetutës në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. çdo propozim që përpiqet të deformojë këto kritere kushtetuese përzgjedhjeje, nuk mund të pranohet nga mazhoranca”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi. Burimet pranë Presidencës bëjnë të ditur se 10 emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese do t’i kalojnë për shqyrtim në Parlament rreth mesit të muajit maj. Kjo, për faktin se Presidenca duket se do të presë përfundimin e plotë të mandatave të gjashtë anëtarëve të Kushtueses dhe katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Një pjesë e këtyre anëtarëve tashmë e kanë mbyllur mandatin e tyre, ndërsa të tjerëve u skadon mandati i gjyqtarit në fillimin e muajit maj. Po kështu, mësohet se Presidenca i ka mbyllur të gjitha konsultat publike për emrat e anëtarëve të rinj të këtyre gjykatave dhe e ka bërë përzgjedhjen e saj për 10 dosjet më të mira të anëtarëve, nga rreth 70 që i janë depozituar gjithsej. Me mbërritjen e këtyre emrave në Parlament, kandidaturat e paraqitura nga Presidenti Bamir Topi do të kalojnë në “sitën” e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku personalisht gjyqtarët do t’u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të komisionit për jetën e tyre profesionale. Përfaqësues të mazhorancës kanë theksuar se këto kandidatura të përzgjedhura nga Topi duket të kenë një integritet të lartë moral dhe profesional dhe të mos kenë qenë pjesë e gjykimeve politike përgjatë kohës së sistemit komunist në vend. Po kështu, një tjetër kriter është edhe jopolitizimi i këtyre kandidaturave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›