Kutitë e dhurimeve në aeroport, mblidhen 8,500 euro për KARITAS
Vitin e kaluar, pasagjerët që udhëtuan nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) patën mundësinë të ndihmonin njerëz në vështirësi. Pasagjerët dhe stafi i aeroportit dhuruan para për njerëz në nevojë, iniciativë kjo e Karitasit shqiptar në bashkëpunim me TIA. Gjatë vitit 2008 nëpërmjet kësaj iniciative u grumbullua një shumë prej 8,500 eurosh në kutitë e vendosura në terminalin e aeroportit "Nënë Tereza". Karitasi shqiptar grumbullon fondet e nevojshme për qëllimet e tij nëpërmjet dhurimeve, mbledh shuma të ndryshme si rrjedhojë e fatkeqësive natyrore, si dhe dhurata nga grupe të ndryshme apo individë. Në përpjekjet të tij për të ndërgjegjësimin e publikut shqiptar për të dhënë kontribute individuale për bamirësi, Karitasi ka lidhur marrëveshje me TIA-n për të vendosur kuti grumbullimi fondesh në ambientet e terminalit të aeroportit. "Karitasi shqiptar drejton, zhvillon dhe ndërton institucione apo iniciativa sociale, siç janë shkolla, qendra shëndetësore, spitale, strehime dhe qendra sociale për njerëz në nevojë. Për këtë arsye TIA është përkushtuar në mbështetjen e iniciativave të Karitasit shqiptar, duke përfaqësuar një partner të qëndrueshëm në grumbullimin e fondeve" - thotë drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken. Shuma prej 8,500 eurosh e mbledhur në kutitë e grumbullimit po përdoret për mbështetjen e iniciativave të veçanta: një projekt synon të ofrojë ndihmë dhe të mbështesë integrimin e fëmijëve romë, me qëllim kryesor shkollimin, duke u dhënë atyre bazat e shkrimit dhe leximit. Një projekt tjetër ka si qëllim ndihmesën në sponsorizimin e fëmijëve të varfër dhe të pastrehë. TIA dhe Karitasi shqiptar janë shumë mirënjohës për shumën kaq domethënëse të grumbulluar gjatë vitit të kaluar dhe falënderojnë të gjithë pasagjerët dhe stafin e aeroportit, me kontributin e të cilëve po ndihmohen këta fëmijë. Ndihma e tyre përfaqëson një ndryshim të madh tek këta njerëz në nevojë.