Task-Forcë nga Tirana për kundravajtësit
FIER - Task Force nga Tirana në rrugët e Fierit pas aksidenteve të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit. Kanë qenë të dërguarit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ata që kanë "skanuar" çdo automjet që lëvizi dje në qytetin e Fierit. Postblloku u vendos në rotondon kryesore që lidh Fierin me Tiranën dhe Gjirokastrën. Në krye të uniformave blu ishte Shkëlqim Nezaj, specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Ai u shpreh se aksioni do të zhvendoset në të gjitha qytetet, ku tashmë piku i lëvizjeve është i pashmangshëm. "Kjo Task-Force është ngritur në bazë të një urdhri të kryeministrit të vendit dhe që drejtohet nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme.
Do të ndëshkojmë me masa mjaft të rrepta të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë në rritje", u shpreh Nezaj. Ky kontroll konsistonte në përdorimin e rripit të sigurimit gjatë udhëtimit, vendosjen e kaskës mbrojtëse kontrollin e shpejtësisë, matësin e alkoolit tek drejtuesit e mjeteve etj. Gjatë këtij aksioni, grupi i Task-Force vendosi rreth 80 gjoba, të cilat më tepër ishin për tejkalim shpejtësie, moszbatim të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe mungesë dokumentesh përkatëse. m.r