Vdekja e të dyshuarës për grip derri, panik në QSUT
Vdekja e dyshimtë, panik në QSUT. Vdekja e një gruaje 50-vjeçare të premten e javës së kaluar në reanimacionin e kirurgjisë të spitalit numër dy në kryeqytet shkaktoi panik mes personelit mjekësor dhe pacientëve të shumtë, pasi dyshohej se viktima mbartte virusin H1N1, ose siç njihet rëndom, gripi i derrave. Stafi mjekësor pohoi dje se për disa ditë me radhë ka vazhduar gjendja alarmante, e cila ka përfunduar një ditë më parë kur nga Bukureshti ka mbërritur përgjigjja se viktima nuk mbartte virusin vdekjeprurës. Burime nga stafi mjekësor i këtij spitali pohojnë se gruaja 50-vjeçare ishte paraqitur me probleme shëndeti në urgjencën e infektivit pak ditë më parë. Pas vizitës paraprake mjekët e infektivit kishin konstatuar tek ajo simptoma të gripit të derrit dhe e kishin transferuar me urgjencë në reanimacionin e kirurgjisë. Aty gruaja ka qëndruar deri mesditën e së premtes kur ka ndërruar jetë. Pas kësaj u dërguan me urgjencë në Rumani kampione të marra nga e sëmura, ku ka rezultuar se shkak për vdekjen ka qenë insuficienca kardiako-respiratore. Për shkak të kësaj vdekjeje, si dhe duke vlerësuar rrezikun e virusit vdekjeprurës, stafit mjekësor të spitalit numër dy u është dashur që në pavijon të caktonin enkas për të sëmurët me H1N1 dhomën me numër 6. Kjo dhomë dezinfektohet çdo ditë ndërkohë në të nuk futen të sëmurë të tjerë. Ndërkohë, të gjithë personave që lëvizin përpara kësaj dhome u është dashur të vënë maska mjekësore dhe të marrin masa për të mos prekur asgjë. Mjekët e repartit të kirurgjisë në QSUT pohuan dje se ishte e tepërt prania të dyshuarve me H1N1 në ambiente të përbashkëta me të sëmurë kirurgjikë. Kjo për faktin se të sëmurët me probleme të tjera, shumë herë kritike, apo persona që u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale të vështira, rrezikojnë të marrin gripin e derrave. Sipas mjekëve të QSUT-së zgjidhja e problemit do të ishte krijimi i një reparti të veçantë në spitalin infektiv vetëm për të sëmurët me gripin e derrave, apo ata që dyshohen me këtë sëmundje.
Nga ka ardhur virusi?
Nga 12 rastet e vërtetuara me grip derri në Shqipëri, tre prej tyre janë marinarët e diagnostikuar në Durrës dhe që janë larguar nga vendi. Gjashtë raste janë të lidhur me udhëtimet në Angli, pra, virusi është importuar nga Anglia, ndërsa për tre raste nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe vetëm 1 rast në Lushnje dhe 1 rast në Sarandë. Për 12 rastet e konfirmuara katër raste janë të grupmoshave 15-24 vjeç, shtatë të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm një rast është i grupmoshës 45-59 vjeç. Eshtë identifikuar vetëm 1 rast i mundshëm i moshës 4 vjeç.