Kutitë, ligjet rifillojnë debatin për draftet e PS-së dhe PD-së
Komisioni i Ligjeve pritet të vijojë sot shqyrtimin e drafteve të depozituara prej javësh nga opozita në Kuvend dhe që kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve. Mbledhja e sotme e Komisionit parlamentar të Ligjeve pritet të jetë interesante, jo vetëm nga fakti se do të marrin pjesë deputetët e Partisë Socialiste, por edhe sepse deputetët demokratë pritet të bëjnë publike amendimet e tyre në lidhje me draftet e opozitës. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, mbledhja e sotme e komisionit pritet të shoqërohet me debate të shumta. Kjo për faktin se burimet bëjnë të ditur se në amendimet e tyre, demokratët pranojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e shkuara, por hedhin poshtë qëndrimin e socialistëve për të hapur edhe kutitë e votimit në këtë komision. Kjo pikë pritet të sjellë debat mes palëve dhe po kështu në mbledhjen e sotme pritet të kuptohet nëse palët kanë tendencën për të gjetur bashkëpunimin për ngërçin politik të ardhur si pasojë e kërkesave të opozitës për zgjedhjet e kaluara parlamentare. Kjo mbledhje e Komisionit parlamentar të Ligjeve pritet të tregojë edhe nëse në Parlament do të vijojë shqyrtimi normal i drafteve të opozitës, të paraqitura në seancën e parë që ajo mori pjesë, pas gjashtë muajve bojkot. Njëri nga draftet që opozita ka depozituar lidhet me kërkesën e saj për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të shqyrtojë edhe zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit të shkuar. Por, në draftin e dytë kërkohet që brenda këtij komisioni të hapen kutitë edhe për disa zona, për të cilat opozita ka dyshime për manipulime. Kjo është edhe pika në të cilën mazhoranca nuk bie dakord, duke e quajtur hapjen e kutive të votimit një kërkesë e cila bie ndesh me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit. Ndonëse mazhoranca ka theksuar se ajo nuk e pranon hapjen e kutive, përfaqësuesit e saj kanë theksuar se draftet e opozitës duhet të hynë në rendin normal të punimeve në Parlament dhe për këtë arsye shqyrtimi i tyre po vijon prej një jave në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Nga ana tjetër, opozita ka theksuar se bojkoti i saj parlamentar lidhet ngushtë me përgjigjen që do të marrë nga mazhoranca në lidhje me shqyrtimin e këtyre nismave parlamentare. Sipas përfaqësuesve të saj, në rast se mazhoranca nuk i pranon këto kërkesa, atëherë ajo do të vijojë bojkotin dhe protestat e saj.
#