Ligji i ri mbi SHISH-in nuk cenon asnjë parim
Mazhoranca vijoi dje të mbrojë amendimet që ajo ka bërë në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, duke u shprehur e “befasuar”, nga kritikat që i bëri ambasadori amerikan John Withers këtyre ndryshimeve. Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht ish- zëvendësministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi se amendimet e SHISH-it janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Anëtari demokrat i Komisionit parlamentar të Ligjeve deklaroi se SHISH është një institucion që nga krijimi i tij në varësi të Kryeministrit dhe, për këtë arsye, nuk mund të konsiderohet se ndryshimet në këtë ligj kanë të bëjnë me ndryshim apo shtim kompetencash të kreut të qeverisë. “SHISH ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të Kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu, dhe raportimi ashtu siç dhe vetë e kërkoi drejtori i SHISH do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim. Nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi”, sqaroi Halimi. Sipas tij, mazhoranca nuk e kuptonte se cila nga pikat e këtyre ndryshimeve në ligjin e SHISH nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Po kështu Eduard Halimi theksoi se ndryshimet në ligjin e SHISH-it ishin bërë në bashkëpunim me vetë drejtuesit e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror. “Te gjitha amendamentet kane qenë të tilla që janë pranuar tërësisht nga drejtori i SHISH. Kanë qenë amendamente të propozuara dhe prej tij dhe deri në fund të seancës nuk pati asnjë reagim nga drejtori”, tregoi ish- zëvendësministri i Drejtësisë. Nisur nga këto, Halimi theksoi se ai dhe mazhoranca nuk e kuptonin se përse këto amendime binin në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. “Nuk di se cili është detaji që ka shqetësuar ambasadorin amerikan, sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës”, u shpreh deputeti i Komisionit parlamentar të Ligjeve.
#