E Diel, 1 Nëntor 2026

Toçi: Berisha të heqë dorë nga presionet mbi mediat

Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga presionet mbi mediat. Fatmir Toçi, deputet i kësaj partie, referuar raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, vuri në dukje dje se, sipas këtij raporti, mediat keqpërdoren për qëllime politike, ka presione të drejtpërdrejta mbi mediat nga qeveria, si dhe raste të kërcënimeve të gazetarëve prej saj.

Sipas Toçit, në raport thuhet se si pasojë e presioneve dhe e pasigurisë në punë, gazetarët shqiptarë detyrohen t’i nënshtrohen vetëcensurimit. “Sulmet e Sali Berishës kundër medias janë provë e qartë se media shqiptare po kryen me sukses misionin e saj fisnik për të informuar, denoncuar e kritikuar ekseset e pushtetit e politikës; prandaj Partia Socialiste edhe njëherë thekson mbështetjen e saj të plotë e të pakushtëzuar për median e lirë në Shqipëri”, tha ai. Ndër të tjera, Toçi i bëri thirrje Sali Berishës dhe qeverisë së tij, që të heqin dorë nga kjo betejë aspak demokratike për ta blerë, korruptuar e mbyllur gojën medias së lirë. “Ky qëndrim i tij ndaj medias s’bën gjë tjetër, por veçse nxin edhe më tepër imazhin tashmë të dëmtuar të Shqipërisë në sytë e shqiptarëve dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, nënvizoi ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›