E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Jo zvarritje të krizës, zgjidhje brenda 18 marsit

PS, kundër interpretimit në Komisionin e Venecias

Deputetët e Partisë Socialiste nuk pranojnë amendamentet e shumicës sa u takon nismave për hetimin e zgjedhjeve. Opozita u deklarua dje kundër propozimit të demokratëve, që Komisioni i Venecias të shprehet për komisionin hetimor të hapjes së kutive të dyshimta të 28 qershorit. Sipas socialistëve, ndërkombëtarizimi i kësaj çështjeje do të sjellë vetëm zvarritjen e kësaj situate, ndërkohë që kriza duhet të zgjidhet brenda datës 18 mars. Vasilika Hysi, deputetja e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, tha dje se ky propozim i mazhorancës i përfshirë në amendamentet e demokratëve për draftin mbi komisionet hetimore, thjesht do të zvarrisë krizën. Sipas saj, zgjidhja duhet të vijë brenda 18 marsit, ashtu siç kërkoi dhe Pierre Mirel, por nga institucionet vendase. “Instrumentet ligjorë duhet të jenë në Shqipëri, boll më me kërkesën e ndihmës së institucioneve ndërkombëtare. Asistenca ndërkombëtare është e nevojshme atëherë kur gjërat nuk janë të qarta, por në momentet kur gjërat janë të qarta, e zeza është e shkruar mbi të bardhë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shprehin qartë rolin e komisionit hetimor parlamentar. Gjithashtu sqarojnë raportin e këtij komisioni me prokurorinë dhe gjykatën. Mendoj se nuk është e nevojshme që të shkojë përsëri çështja në Komisionin e Venecias, sepse kjo është një zvarritje, kjo është për ta mbajtur krizën politike të gjatë”, theksoi Hysi. Sakaq, ajo la të kuptohet se amendamentet e selisë blu nuk do të pranohen nga kjo palë, duke pasur parasysh edhe ecurinë e deritanishme të diskutimit të nismave në komision. Në vlerësimin e PS-së e vetmja zgjidhje mbetet përherë hapja e kutive përmes ligjit që duhet të miratohet në Parlament. “Normalisht nëse do të paraqiten amendime, ne do t’i marrim, do t’i studiojmë, por uroj dhe shpresoj që mazhoranca e ka kuptuar drejt mesazhin edhe të opozitës, por dhe të zotit Mirel. Tashmë hapi nga PS është hedhur dhe i bie barra Parlamentit, dhe kur thuhet Parlamentit, edhe mazhorancës. Madje theksoj dhe Kryetaren e Parlamentit, e cila duhet të ndikojë për ta zgjidhur këtë krizë politike”, vijoi Hysi. Deputetja socialiste argumentoi pse në thelb kërkesa e selisë rozë është kushtetuese dhe pse PD duhet ta pranojë atë, ndërsa garantoi se nuk do të ketë tërheqje nga hetimi përmes hapjes së kutive. Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë sot kërkesat socialiste për hetim të zgjedhjeve dhe ndryshime në mënyrën e funksionimit të komisioneve hetimore, nisma që do të votohen në Kuvend më 18 mars. Deri tani palët nuk kanë arritur në një qëndrim të përbashkët në këtë komision. Vetëm pak ditë më parë, drejtori për Zgjerimin në KE, Pierre Mirel, vuri ultimatum për klasën politike datën 18 mars, si afat i fundit për të zgjidhur krizën politike në vend. Madje ai paralajmëroi se vazhdimi i krizës do të ishte një minus për proceset integruese të vendit drejt Bashkimit Europian. Drafti i selisë rozë do të hidhet në votë të enjten, më 18 mars, datë të cilën drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Pierre Mirel, e përcaktoi si kufirin e fundit për të zgjidhur krizën. Ndërkohë, Rama paralajmëroi nga Korça se nëse propozimet e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve dhe komisionin hetimor nuk miratohen në Kuvend, atëherë socialistët do të nisin protestat. Kryetari i opozitës deklaroi se opozita është gati për t’u ngritur në një valë protestash. “Ne nuk do të lejojmë që kutitë e votimit të trajtohen si sende, pasi ne nuk i kemi trajtuar si të tilla. Berisha duhet ta theksojë se është një Kryeministër me vendim gjykate dhe jo Kryeministër i zgjedhur nga shumica e votës popullore për partinë e tij. PS-ja nuk do të zmbrapset nga beteja e hapjes së kutive të votimit. çështja e kutive është frika që ka pushtuar ata që na qeverisin, për atë që do dalë nga kutitë”, deklaroi Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›