Meta: Zgjedhjet, argument i mbyllur, opozita të rikthehet në parlament

“Duhet të marrë fund kundërvënia e krerëve socialistë të njësive vendore ndaj qeverisë”
Zv/kryeministri dhe ministri i Punvë të Jashtme Ilir Meta u shpreh sot gjatë një komunikimi për mediat se zgjedhjet mbeten një çështje e mbyllur, përsa kohë nxorën një qeveri legjitime dhe një koalicion të denjë për integrimin e vendit. Me anë të kësaj deklarate numri 2 i qeverisë i bëri thirrje opozitës socialiste të rishikojë vendimin dhe të kthehet në parlament.
“Zgjedhjet kanë përfunduar njëherë e mirë. Për zgjedhjet nuk ka vend për diskutime mes Berishës dhe Ramës. Opozita të vijë në parlament për reformat, për integrimin e vendit dhe për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë. Edhe njëherë përsëris se zgjedhjet janë një argument i mbyllur tashmë”, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Megjithatë, Meta propozoi një takim teknik mes kryeministrit të vendit dhe kreut të opozitës, për zgjidhur konfliktin me njësitë vendore. “Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet të takohen për të gjetur një zgjidhje të përbashkët mbi konfliktin e lindur me përfaqësuesit e pushtetit vendor mbi autonominë financiare. Takimi është i domosdoshëm për t’i dhënë fund kundërvënies së krerëve socialistë vendorë ndaj qeverisë”, tha më tej, Ilir Meta.