Kuvend, 11 deputetë futen në grevë urie
Tiranë-Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar pak minuta më parë, nga foltorja e Parlamentit se “nga ky moment fillon greva e urisë së deputetëve të kësaj partie”. Direkt pas Metës, nisjen e grevës së deputetëve të Partisë Demokristiane e ka deklaruar edhe Nard Ndoka.
Mësohet se janë 11 deputetë që janë ngujuar në sallën e Parlamentit për Kodin Zgjedhor. Meta e kishte paralajmëruar këtë grevë një javë më parë. ”Duam që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarëve t’u miratohen votat e tyre dhe jo votat e dyshes Berisha-Rama”, u shpreh Meta. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, partitë e vogla nuk do të ketë komisioner në qendrat e numërimit të votave. Ky kod ka kaluar në komisionin parlamentar të ligjeve dhe pritet që të shkojë për miratim në Kuvend.
“Kemi nje klime anti-kombëtare. Duke mospasur hartimin e një Kodi Zgjedhor gjitheperfshires, ne jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë, si e vetmja rrugë per t’i thënë ndal binomit Berisha-Rama, që synon shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme”. Kështu ka deklaruar Ilir Meta.
Ndërsa kreu i PDK, nard Ndoka u shpreh se “Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha, pasi nënshtroi dhe deformoi misionin e Partisë Demokratike në nëntëdhjetë e nëntë për qind të saj, si një sulltan i vertetë politik, kërkon të nënshtrojë edhe Kuvendin e Shqipërisë, kërkon të nënshtrojë partitë politike, pluralizmin politik, demokracinë tonë, vullnetin dhe liritë politike të qytetarëve, gjithçka që ne kemi arritur në këto tetëmbëdhjetë vite të vështirë të tranzicionit shqiptar. Për fat të keq, pjesë e kësaj aventure të rrezikshme, është bërë edhe kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama”.