E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, 70 vota për ministrin e ri, Anastas Duro

Me 70 vota pro dhe 30 kundër Anastas Duro është emëruar në postin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kuvendi miratoi mbrëmjen e djeshme në seancë plenare dekretin e Presidentit të Republikës. 

TIRANE- Kuvendi miratoi mbrëmjen e djeshme në seancë plenare dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Anastas Duros në postin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ligjvënësit dhanë pro kësaj kandidature 70 vota, kundër saj 30 të tilla, si dhe vetëm dy vota abstenim. Më parë Kuvendi miratoi po me shumicë votash dekretin për shkarkimin e Kosta Barkës nga ky post. Anastas Duro, anëtar i kryesisë së PBDNJ-së është me profesion jurist dhe gjatë viteve 2003-2005 punoi si zv/ministër i Drejtësisë. Emri i tij është dërguar për dekretim nga kryeministri Berisha, ndërkohë që në media lakohej emri i Andrea Martos. Ky i fundit, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punës, (i shkarkuar nga Barka) u bë dhe shkak i konfliktit të lindur brenda PBDNJ-së dhe që nxiti më pas partinë të kërkojë shkarkimin e Kosta Barkës. Çdo gjë u zyrtarizua më 22 shtator të këtij viti, kur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule takoi kryeministrin Berisha dhe i paraqiti propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës, duke i propozuar një tjetër emër.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›