Autoportet, unë Nexhmie [Xhuglini] Hoxha, 1943!
Në AQSH kam lexuar një pirg të madh me dosje të kohës së Luftës, kalojnë njëqindët, mes tyre shumë dosje me dokumente të pabotuara (ngaqë ishin sekret) në veprat e E. Hoxhës, si dosjet e vëllimshme të Plenumit Dytë të Beratit dhe në asnjë rast s’kam parë “Tepër sekret” në kopertinë të dosjeve, dhe kësisoj janë vetëm dy: dosja për “Fejesat ilegale nga Partija” [për kuadrot komuniste] që ruhet me dyfjalëshin “TEPËR SEKRET, është një procesverbal (dy faqe të vogla) tepër interesant po dhe tronditës në Qarkorin e Tiranës. Dosja tjetër mban vetëm një letër të Delegatit [Xhuglini] dhe në kapak të dosjes një katërkëndësh i ngjyrosur me të verdhë dhe sipër me shkronja të kuqe tepër flakërues lexohet: TEPER SEKRET (në faksimile del pjesërisht) [Faksimile 1] Letër e kërkuar aq shumë herë para shtatorit 2005, kur drejtor ishte Prof. Shaban Sinani e nuk jepej, dhe letra del në dritë nga drejtore Nevila Nika që ka këputur prangimet emëparshme të Ligjit për Arkivat.
Me merakun se do humbisnin faktet e letrës në komentet e tyre e sjell të plotë letrën e Delegatit për lexuesit, edhe me disa sqarime për qartësi të përmbajtjes së letrës. Delegati Xhuglini vitet e luftës i ka kaluar në Qarkorin e Partisë së Tiranës dhe në fundmars ‘44 bashkohet me Enverin në Panarit të Korçës për të qenë bashkë deri në mbarim të luftës. Enveri i kërkon Delegatit që t’i shkruajë një herë në tre ditë letër, e nga letrat e shumta vetëm kjo ka mbetur, dhe siç e ka shkruar vetë në publicistikën e saj të luftës nga Enveri ruan në arkivin personal 100 letra të tij. Nga letra duket qartë se Enveri nuk kishte besim te qarkori i Tiranës, ku punonin Gogo Nushi, Ymer Dishnica, Nako Spiru, që ishin kryesorë, kjo ishte arsyeja që i kërkonte Delegatit t’i shkruante një letër në tre ditë për punët e qarkorit dhe shokët e qarkorit, edhe për kuadro të tjerë, që iu referohet me pseudonime. Mirëpo Delegati nuk e kishte aq të lehtë t’i dërgonte Enverit informacione për punët e shokët e qarkorit, të cilët ia kishin kuptuar misionin e fshehtë Delegatit, ndaj dhe nuk e afronin, e mbanin larg. Këtë e shkruan dhe vetë Delegatia: “Veçse ngjet një gjë mbasi shoku Deti [Nako] dhe Dr. [Dishnica] shumë herë s’më pyesin shumë, dua të them bisedojnë e marrin vendime e kështu mbetem jashtë. Prandaj po s’u solle rreth bazës [“Shtëpia e bardhë” quhej baza] ku janë ata të dy, ose të pyesish, s’merr vesh ç’bëhet në organizatë.”
Kryesorët e Qarkorit (G. Nushi, N. Spiru, Y. Dishnica), jo vetëm që kishin nuhatur se survejoheshin e raportoheshin tek Enveri, por ata kishin konsiderata jo të mira për punën e Delegatit, e cila nuk shtrohej në punë saqë Nako Spiru i shkruante letër Enverit se Delegati i tij vërdallosej e nuk shtrohej në punë, dhe këtë letër s’kam mundur t’a shtie në dorë por atë e pohonte vetë Tarasi në letrën që i shkruante Shapingos [Dishnica]: “Edhe pak fjalë për çështjen e Delegates; nuk është e vërtetë ajo që thua ti Dr. [Dishnica], por në bazë të letrës që më shkruan Nakua ku më thotë se “hiqi veshin se vjen rrotull tërë ditën, por s’nxjerr aq sa duhet.”. Unë natyrisht e ekzagjerova me të, se i raçë mirë, po s’ka gjë se i bën mirë, po me gjith atë ju të mos e konsideroni si gruan teme por si shoqen t’onë dhe atje ku ka të meta mos e përkëdhelni, por mos e ekzagjeroni edhe ju si e bëj unë me kritikë, pse shokët tanë s’janë të arritur ashtu si i duam ne, dhe kur ja u heq ashtu si bëra unë me Delegatin arrin sa të mendojë se me të vërtet “ajo s’ka punuar as pak mirë dhe s’meriton ato detyra që i ka ngarkuar Partija, etj. etj.” Tash besoj se nuk do të mendoç më si më përpara ti Shapingo.” [Faksimile 2]
Sa kuptohet, letra e Nakos për vërdallisjet e Delegatit i ka djegur shumë Enverit, dhe këtë e shohim dhe në një letër që Enveri i shkruante Hysenit (Gogo Nushit, sekretar i qarkorit të Tiranës): “...Si vete puna me Nexhmijen? A punon mirë? Më shkruaj dhe s‘dua të më shkruash sikur më shkruan për gruan teme, por të kërkoj mendimin tënd si për një shok të Partisë. Duhet ta ndihmoni e udhëzoni në punë se shumë herë ka nevojë. More vesh zoti i madh Hysen se ke tmerruar gjithë miletin. Këto po ti them në vesh të mos i dëgjojë njeri.” Dhe “ke tmerruar miletin” le të kuptojë se edhe Hyseni e kishte goditur mirë Delegatin. Është një lutje e Tarasit për Hysenin që të ndihmojë Delegatin në punë se ka shumë nevojë, është interesante lutja e Tarasit: “Këto po ti them në vesh të mos i dëgjojë njeri.”, e këta njerëz të tjerë s’janë veçse Nako dhe Dishnica.
Në qarkorin e Tiranës E. Hoxha s’kishte besim tek asnjëri, veçse tek Delegati Xhuglini. Delegati, atëherë 22 vjeç, i besohej mision tepër sekret: nga Tarasi merrte urdhërat për “Dekorim pa bujë e zhurmë” [kodi i pushkatimit të shokëve], dhe Delegati urdhërat e dekorimit ua komunikonte shokëve kryesorë të qarkorit, të cilët nuk i zbatonin urdhërat e Enverit për pushkatim të kundërshtarëve të tij a të partisë. Gogo, Nako e Dishnica jo vetëm kundërshtojnë urdhërin e Enverit për pushkatim të A. P [Anastas Plasari], por i bëjnë sfidën e madhe Enverit: i dërgojnë A. P. për ta pushkatuar vetë. Si reagonte Enveri në letrën dërguar qarkorit? “Per A. P. nuk ja u kërkuam as pak të vijë këndej, por ta dekorojtë vetë atje, tru tharës teme [N. Xhuglini, boldi v.b], i thamë të na çoni Sotir Sikuçken se me atë kemi ca muhabete. Sa për S. K. ne e thamë mendimin tonë, dhe s’është një arsye që jep ti, se mund të dalin 20 a 30 të tjerë. Ne nuk do i dekorojmë të gjithë po në rast se disa po na lëftojnë keq, dhe do t’i dekorojmë.” [Faksimile 3] Enveri revoltohej pse i dërgohej atje A. Plasari dhe kërkonte të dekorohej nga shokët e qarkorit, por edhe i xhindosur me Delegatin (e fejuara) saqë e quan “tru thara ime”. Përgjigjia e Delegatit për Enverin: “Për gjithë ato që më porositët për kontrollin dhe spastrimin e disave un u a komunikova shokëve. ...Ata s’kanë besim që t’a kem raportuar drejt çështjen e A.P e të tjerëve, prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë, me gjithë se un u a parashtrova atë që u raportova juve. Me gjithë se s’më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla [është fjala për “tru thara ime”], por nuk kam qenë unë që u thashë t’a sjellin AP atje, pse un u thashë atë që më thatë, por pasi nuk pranuan, un bëra gabimin që aprovova mendimin që mund të vijë ai tek ju...” Delegati, e sëmbuar shumë në sedër nga fyerja që i bënte i fejuari Enver s’mund të rrinte pa ia kthyer: ”unë s’u trembem kritikave si do që të jenë, në daç kalibri të rëndë, në daç të lehtë” dhe “megjithatë mua s’më vjen keq, mund të thuash ç’të duash për mua, mos më mallko veç, pa sa për të sharë sa të duash.”
Letra e Delegatit përkit në kohë me tjetër letër të Valbona-s (Enverit): Komitetit Qarkor të Tiranës. Ti dorëzohen shoqes Delegati 105.000 (njëqind e pesë mijë) franga shqiptare dhe të shënohen në llogarinë e të hollave nga llogaria e sheqerit. Valbona.”, pa sqaruar arsyen pse merren ato (?!) Dhe 105.000 franga Shqiptare ishte shumë e madhe (15 fr. Shqiptare 1 napolon flori, ose një mësues paguhej me 105 fra. Shqiptare në muaj). Lexuesi s’di gjë për llogarinë e sheqerit, që e sqaronte Nako, i cili i shkruante Enverit në tetor ’43: “...kemi zënë në Bankën e Durrësit 844 (tetëqind e dyzet e katër) kv. Sheqer dhe 150 kv. lesh. Na kërkojnë 120 napolona flori për 1 kv. Sheqer. Si të bëjmë?...” Enveri: “Kthejini në ato që di ti.” [napolona flori]. Financa e partisë komuniste ishte e majme gjatë luftës, dhe vitet e parë të pas çlirimit s’ka asnjë gjurmë të asaj finance.
Në AQSH për Delegatin janë gjetur mjaft letra të drejtpërdrejta shkruar me dorën e saj dhe e bëjnë protagoniste kryesore bashkë me Saliun [Dushan Mugosha] për pushkatimin e “Interesantit” (Ramize Gjebrea), madje Delegati është në rajonin e Vlorës ditët e arrestimit dhe gjyqit të Interesantit dhe pohonte vetë se kishte në dorë të gjitha raportet denoncuese që bëheshin kundër Gjebresë, shoqes së saj të shkollës në Tiranë. Letra e 4 prillit që ia dërgonte Nakos, ku me dorën e saj shkruan se ishte në rajonin e Vlorës, kur Ramize Gjebrea ishte burgosur e pritej t’i bëhej gjyqi dhe kishte në dorë gjithë raportet denoncuese kundër Gjebresë), një letër (monstër) e 1 marsit ’44 me pamegjerikë për Gjebrenë, dhe kur shkruan letrën di fare mirë se “Interesanti” (Gjebrea) ishte e burgosur për gjyq; burimi i fundi është diskutimi “interesant” i Delegatit në Kongresin e BRASH-it
* * *
Disa vjet më parë një e “mosvarur” del me specialen: Shqiptarët më të shquar që kanë mbaruar studimet në universitet më të famshëm të Europës dhe Amerikës, krahas Aleksandër Moisiut edhe Enver Hoxha; po ashtu, pak kohë më parë një TV i mosvarmë, me emison special për luftën ku promovohet Enver Hoxha me tërë meritat e paqena të tij; një a dy vjet më parë një e mosvarur me specialen: 100 femrat më të suksesshme të shekullit, dhe bashkë me Musine Kokalarin dhe Nexhmie Hoxha; në gati dy dekada ende nuk ka një mendim zyrtar nga Parlamanti për E. Hoxhën; por edhe Partia Socialiste ende s’ka një ndarje zyrtare me E. Hoxhën; Akademia e Shkenvave, në vepra për luftën, promovon vlera të pamerituara të Enver Hoxhës deri edhe si iluminist i shquar (1932), kur me fjalimin e tij para intelektualit të shquar Ciu, Enveri shfaqi antiiluminizmin e tij grotesk; SHQIPI i Rudina Xhungës në Top Channel i vari Nexhmie Hoxhës “kurorën e së vërtetës” në vend të një kurore me gjëmbçë. Nga të gjitha më ka mbetur ngulitur si një diagnozë e keqe një përvojë personale që ka në fokus N. Hoxhën: kam tre vjet që trokas derë më derë (institucione, fondacione, firma etj.) për sponsor të botimit të monografisë “Ramize Gjebrea, ikona e Luftës në jetë paralele me Delegatin Xhuglini, Tarasin Enver, Saliun Mugosha e Co.”, natyrisht e parë nga poshtë e nga afër, me 678 burime arkivore e të tjera; dhe përgjigjia negative, trishtimi vjen se në këto borde, komisione kudo ka idhtarë të N. Xhuglinit.
“I dashur shok,
Duke dashur të të shkruej gjatë e gjerë mbi sa më kërkon nuk po mund të të shkruaj as shkurt. Prap sot nuk po mundem të të raportoj gjatë pse, edhe ne kemi patur punë (ashtu nga ato punët t‘ona ma) dhe kemi qenë të zënë ditën e natën. Ditën që mora letrën tënde, porsa kisha ardhur nga Durrsi. Ndenja atje 2 net dhe mblodha Qarkorin e rinis, një konferencë të gjerë me përgjegjësit e rinis të qarkut të Durrsit dhe mblodha dhe një këshill grash që qe atje. Shokët e qarkorit të rinisë atje qenë të mirë, por me pikëpamje organizative të dobta. Sekretari politik i ngjathët dhe nuk e drejtonte dot mbledhjen. Ishte dhe shoku Iso [Kozma Nushi], por nuk morri pjesë në diskutime si edhe shokët e tjerë të qarkorit. Gati sa s’më çoi në celulën e shoqeve, pse unë i kisha thënë të pregatiste mbledhjen e këshillit që të mos vonohesha, aj e kishte marrë vesht gabim. Një pjesë e madhe e rinisë asht larguue nga Durrsi në rrethe dhe nuk kishin mundur t’a organizonin akoma. Por shpërndarja e lëndës propagandistike dhe puna n’at pak popullsi që ka mbetur nuk asht lanë. Gjithashtu janë larguue edhe gratë, prandaj paraqitet e zorshme dhe e pamundshme formimi i këshillave antifashiste të gruas dhe rinisë në bazë të mëhallave. Të rinjtë e konferencës dukeshin të gjallë, megjithse s’folën shum. Shokët kanë vullnet dhe po të drejtohen mirë dhe t’u ndahen detyrët mirë mund të shkojmë më përpara. Kuadrot janë të pakta. Lidhjet me Partinë kanë qenë mirë. Kontaktet kanë qenë të shpeshta. Shoku Iso ka marrë pjesë shpesh në qarkor të rinisë. Qëndrimi i rinisë në ditët e kapitullimit të Italis ka qenë shumë i mirë dhe aktive. Ka marrë nja 200 pushkë, 300000 mijë fishekë dhe ca mitraloza. Isha një darkë te Dr. Zazani, mikut t’ënd. Kish ndëgjuar që ti ishe fejuar dhe u interesua në isha unë shoqja tënde. U gëzua dhe më foli mbi jetën t’uaj në Francë. Të bën të fala bashkë me Leostën.
[Doktor Zazani, më 1946 do të pushkatohej si “armik” i popullit, siç rrëfen N. Hoxha në intervistën në SHQIP të R. Xhunga te Top Channel.)
Këtë javë kemi pasur mjaft mbledhje e konferenca dhe mbledhje e pregatitje natën, prandaj nuk kam mundur të të raportoj, pse sigurisht n’ato orë të lira nuk isha në gjëndje të bëj “ty” një raport pse duhet t’a mendosh mirë njëherë. Dhe përgjumësh s’guxoja të të shkruaj, pastaj kam qenë edhe pak e pamundur, pasi kam pasur dhimbje koke si një vjet më parë. Këtë nuk ta them që të më falësh ose të më mëshërosh pse un jam si “ thanë”, e fortë (megjithse nuk është e bukur) dhe jo gjithmonë e marrë që të mërzitem. Po t’a them që tashti se që të të shkruaj njëherë në tre ditë do të mundohem por nuk të siguroj se më duket zor. Pastaj ç’taksirat të inatosesh çdo tre ditë vetëm nga unë. Ma mirë të mos i dish disa gjëra. (Kët mos e merr seriozisht se unë do të shkruaj gjithë sukseset dhe budallallëqet tona, unë si trembem kritikave sido që të jenë, në daç kalibrit të rëndë, n’daç të lehtë).
Po ti dërgoj dy proces-verbale te mbledhjeve të fundit të qarkoreve të partisë. Po t’i dërgoj pse mi kërkon, po nuk mund të kuptosh shumë gjëra pse gjatë mbledhjeve seksioni organizativ ban mbledhje (bile banojnë dhe në një vënd) dhe neve e vizitojmë në (“Shtëpinë e bardhë”). Veç ngjet një gjë, mbasi janë këtu shoku Deti [N. Spiru] e Dr. [Y. Dishnica], shumë herë s’na pyesin shumë, dua të them bisedojnë e marrim vendime e kështu mbetemi jashtë. Prandaj po s’u solle rreth bazës ku janë ata të dy, ose të mos pyesësh s’merr vesh se ç’bëhet brenda në organizatë [të partisë.]
Mbledhjet e qarkorit janë bërë në 10 ditë. Kanë marrë pjesë dhe shoku Deti ose Dr. ku janë punue dhe qarkoret që ka dërguar K.Q. i P. Jashtë mbledhjeve me kontakte të veçanta asht bisedue mjaft për çështje të organbizatës dhe të qëndrimit të situatës. Sigursisht Deti të ka shkruar mbi zhvillimin e gjëndjen politike këtu. Dallavere po luan shumë, por me sa shoh unë nuk jemi mbytur. Deri tashti e kemi timonin mirë në dorë, duhet veç tashti e gjithmonë më shumë të qëndrojmë në këmbë që fronti i jonë dhe organizata e partisë të rritet gjithmonë, të duket gjithmonë forca e saj. Duhet vazhduar sistematikisht demaskimi i Ballit dhe i partive të tjera që po lindin dhe gjithmonë më i fortë deri sa të çahet. Me gjithë se një pjesë e popullit, ose që mos të akuzojmë popullin, një pjesë e intelektualëve spektatorë po na e heqin veshin ose po na e thonë me ngadlë që të na zbusim, duhet të vazhdojmë gjithnjë dhe më fortë ndërmarrjen që muerën pse Balli e ndjeu veten shumë të tronditur dhe nga ana tjetër populli duhet një çikë të mësohet me qëndrimin e këtyre kalbësirave. Duket përfituar nga kontradiksionet e tyre brenda për t’i ndarë si p.sh ata të Vlorës janë t’indinjuar për lidhjen e Lurës [?], pse janë demek antizogista; rinija e Ballit qënka e dëshpëruar nga kompromosi ose e dëshpëruar nga vëllavrasje etj. dhe bëjnë sikur janë gati për t’u ndarë, për të formuar partira social demokratike biçim, dhe që do të bashkohen me ne. Por ne një gjë dimë që e mësuam, që ata janë gjithnjë d’akord të na luftojnë ne, qoftë pse janë reaksionarë, qoftë pse po u ikin kolltuket.
Po mundohem të na kopjojnë ne, kanë plan të formojnë njësite qyteti dhe po mundohen të formojnë dhe këshillat e mëhallave pse e kanë ndjerë humbjen në mëhalla. Por nuk do të kenë sukses. U bëmë për tu ruajtur edhe nga Balli se nga agjentët e kuesturës dhe spiunët s’kemi frikë më se na ndjekin, u ka hyrë tartakuti.
Me formimin e seksioneve sigurisht do të mund t’a sundojmë gjëndjen më mirë, pse puna asht zgjeruar shumë dhe s’po i bënim ballë dot. Tashti jo vetëm s’na del më koha të këndojmë raportet në qarkor si përpara, me gjithë se seksioni organizativ i shqyrton ato shumë më parë prap mbledhja e qarkorit nuk na mjafton ti rrahim gjithë çështjet gjatë dhe ashtu siç duhet. Siç do ta shikosh dhe në procesverbale pikat e fundit shkurtohen, propozimet s’janë të shumta dhe disa herë mungojnë, pse nga mëngjesi na këput gjumi. Tashti po e ndjejmë se ç’don me thënë me drejtue. Shokët e qarkorit kanë kuptue rolin e drejtimit të sektorit që u është caktuar dhe po mundohen t’a organizojnë sa më gjerë e më fort. Shoku Hysen [Gogo Nushi] e ndjen pulsin e organizatës dhe asht i vetmi që e ndjek organizatën në gjithë sektorët. Drejton mirë mbledhjen e qarkorit, veçse ngul shpesh këmbë në menedimet e tija. Sigurisht edhe punën e hamallëkut nuk e ka lënë fare. Sikur Hyseni të fliste pak dhe të lidhte mejtimet do të qe më i mirë, dua të them më i vlefshëm. Nuk hap dot gojën në konferenca si mbledhja e aktivit të partisë që bëm këtu, kurse në qarkor flet.
Rosho ka marrë përgjegjësi ushtarake (bashkë me Kaleshin), prandaj efektifisht aj si sekretar organizativ nuk asht se i ka lënë celulat dhe nuk i kontrollon, as celulë të tijën s’ka. Në mbledhjen e qarkorit ndërhyn fare pak dhe disa herë e ze gjumi që në fillim. Duket i lodhur, mbase vjen pse ka qenë dhe i sëmurë disa kohë. Ka një të metë që e dëmton mjaft. Është konfuz dhe ngatërohet, shpesh herë në punë e humb mëndjen, dua të them se nuk e ka mëndjen fare në atë që i thua ose që e pyet. Unë nuk kam besim shumë të këshillohem ose të marr një vendim bashkë me të. Pse ai në fillim është në kulm të entusiazmit e pas pak të jep përshtypjen e një të dëshpëruari. Në një moment thotë ia thyem surratin Ballit Kombëtar, në një tjetër thotë Balli Kombëtar ka 200 të rinj në Tiranë. Në një kohë thotë se është i mbaruar ky ose ai atentat, kurse ai vonon një javë 10 ditë ose dështon fare. Mbase s’ka faj aj dhe e vërteta asht se s’ka shumë, por faji është se e bën punën të mbaruar. Veçe kur i bëhet kritikë e pranon.
Faktikisht punën e sekretarit organizativ e bën shoku Kila dhe punon mirë dhe pa u lodhur. Mban lidhje vazhdimisht me celulat dhe i kontrollon ato. Bashkë më Hysenin pothuajse për çdo javë u bën celulave qarkore dhe komunikime me shkrim. Besoj se të ka dërguar ndonjë. Dyli punon me nacionalistët dhe sipas raporteve të shokëve punon mirë dhe u rri pranë. Dyli është shok i besuar dhe serioz në punë. Kam besim se do të bëhet shok i mirë. Skënderi është pak skolastik dhe frazeolog. Ka teknikë (jo shtypshkronjën) dhe nuk po e vërtit dot mirë dhe përsosur. Ka jashtë qarkorit shok që mund ta bënin më mirë punën e tij si anëtar qarkori. Vetëm ka vullnet për punë, por s’di të rregullohet mirë. Shahini është shok punëtor dhe i heshtur. Veç është shumë pesimist, për njësitet aj mbase na transmeton pesimizmin. Sa për Delegaten, mbasi më në fund mezi ju mbush mëndja se duhet të ngrerë një çikë zërin më shumë në qarkore, ka filluar të flasë pak më shumë. Mbase se ndjen vetën në naltësin e përgjegjësive që i ka ngarkuar partia, po mundohet t’i arrijë dhe ka besim se do t’ia arijë, pse vullneti nuk i mungon, ashtu siç nuk mund t’i mungojë çdo komunisti. Mundohet shoqja Delegate të nxjerri shumë, pse sektorët janë shumë të gjerë, po mbase i mungon taktika për ta zgjidhur më lehtë çështjen. Shënohen disa përparime “alla volturua” dhe ka shpresa, sidomos nëse do të ketë sulme të vazhdueshme nga fronti i Arbanës.
Seksionet që kemi ndarë sigurisht kanë filluar punën disi dhe besoj se do të ndihen edhe përfundimet. Organizata shtohet përditë dhe megjithëse janë larguar shokë n’anë të ndryshme, kemi 18 celula me 120 anëtarë. Çdo javë paraqiten shokë për parti, sigurisht jo me dhjetëra. Shokët e partisë politikisht qëndrojnë fare mirë dhe gjithë direktivat e KQP janë pritur mirë dhe i kanë hyrë kuptimit të tyre. Mbi qëndrimin me Ballin asnjë dyshim ose hezitim në radhët e partisë, jo vetëm, por në radhët e simpatizantëve të partisë, grupeve edukative, si edhe në rini. Sigurisht, dy a tre simpatinzantë, ose të rinj nuk ngrenë kundra. Të pazhvilluar mjaft politikisht, kuadro shumë të reja, por ka vendosje dhe dashuri për parti. Elementi i ri që ka hyrë në parti është shumë entuziast për punën e partisë dhe mundohet të krijojë punë. Është zgjerue agjitacioni, por organizativisht nuk asht ba aq sa mundet të bëhet. Ka mundësi të përparosh me 100 km në orë, ne ecim me 50. Këtë e them përsa i përket brenda organizatës sonë. Ka një lëvizje të gjerë masash. Shokët e partisë punojnë dhe e vënë në lëvizje këtë masë. Janë pothue të gjithë të okupuar në punë. Ka 60 njësite që i mbledhin shokët. Kanë organizuar konferencat e mëhallave. Kanë ndihmuar lëvizjen e shpërndarjen e lëndës propagandistike, mbledhin në rregull grupet e edukative dhe disa kanë dhe punë të tyre. 50 prej shokëve janë shumë të mirë dhe dijnë të komunikojnë mirë. Njëherë tjetër mund të bëj tabelën për gjithë shokët, cilësitë e tyre dhe punën. Gjithashtu dhe klasën e tyre se sot nuk jamë në gjëndja të ta bëj.
U formua KNÇL i Tiranës me një kryesi prej 9 veta dhe dy janë përfaqësues të gruas dhe të rinisë. Janë 4 anëtarë partie, 3 deri në 4 grupista dhe të tjerët nacionalçlirimtarë të mirë. Konferenca qe prej 39 veta dhe u bë gjithë ditën. Janë të entuziazmuar dhe kanë filluar të punojnë. Ndjehet një lëvizje e gjerë në mëhalla. Ndjehet puna e jona. Nga konferenca të gjera janë zgjedhë 29 këshilla mëhallash dhe zyrash. Janë bërë dhe konferenca me elemenat neutralë për t’u skjaruar. U formua K antifashist i B të G (K Antifashist i Bashkimit të Rinisë së grave) prej një konference prej 58 veta, u zgjodh një këshill i gjerë prej 25 veta që do të zgjedhë dhe kryesinë prej 9 veta. Janë zgjedh 5 anëtarë partie, të tjerët janë grupistë shumica, një pjesë n-çlirimtare të mira dhe tre katër pak të lëkundshme për qëndrimin tonë të ashpër. Janë caktuar seksionet. Ndihmat këtë muaj janë trefishuar, por fushata e leshit dhe ushqimit nuk ka shumë sukses.
U formua Komiteti Antifashist i Rinisë së Tiranës. Një konferencë delegatësh të rinj prej 36 veta zgjodhi komitetin prej 9 veta dhe dy ndihmsa-katër anëtarë të qarkorit të rinisë, tre të rinisë sonë dhe dy antifashistë, tre e katër vajza dhe 5 djem. Janë formuar 22 këshilla rinie në mëhalla. Janë ba dy konferenca të gjera për forminin e shoqnisë së artit ( s’ja kanë vu emrin ala) dhe prej njërës doli dhe këshilli që mori pjesë në konferencë. Jemi në formin të shoqërisë sportive. Maksimumi i konferencës ka arritur në 100 zgjedhës. Kanë marrë pjesë në zgjedhje 1600 e ca të rinj e të reja. Por, mund fare mirë që organizata e B të R . K P të përmbledhi 3 mijë të rinj, por të rinjtë tonë nuk e kanë kuptuar mirë që duhet të marrin pjesë të gjithë në konferenca, një pjesë tjetër nuk kanë mundur që të vinë. Tashti këshillat do të regjistrojnë si me thënë të rinjtë e mëhallave dhe të zhvillojnë vazhdimisht konferenca nëse armiku do të na lejë rehat. Janë formuar kurse të ndryshme në mëhalla dhe kanë filluar funksionimin, sidomos ato të infermierisë e analfebetizmit. Kanë dezertuar nga Balli nja 6-7 të rinj dhe të reja dhe kanë marrë pjesë në mbledhjet e mëhallës, bile një grup kanë bërë një deklaratë të ashpër kundër Ballit Kombëtar. Bile dhe në këshilla kanë marrë pjesë elementë që të paktën favorizonin parullat e Ballit.
Rinia komuniste sigurisht ka qenë zjarri i mëhallës. Edhe qarkori i rinisë ka qenë në lëvizje. Tashti që rinia asht me 9 pse Zeqiu që shkoi në Dibër bashkë me dy shokë të tjerë, u larguan. Efektivisht tashti jemi 8, se Liria (Belishova) asht e sëmurë nga syri. Jemi mbledhur rregullisht dhe kemi pasur mjaft gjëra për të organizuar. Shokët dhe shoqet punojnë mirë. Shoku Niko(Opari), sekretari organizativ është aktiv dhe i rri afër rinisë dhe e kontrollon dhe e drejton atë. Veç ka disa pikëpamje të ngushta organiziative, por ka fituar eksperiencë të mirë në rini dhe e njeh të tërë rininë. Ka maninë të monopolizojë punën dhe po s’ja kujtove që duhet të këshillohet dhe të vendosi bashkë më mua të rrëshqet, hap letra dhe u përgjigjet pa u kujtuar të mi përcjelli mua. Shoku Driti (Çaushi) asht shok i mirë që punon pa llafe shumë. Interesohet shumë për rininë. Shoku Qazim (Vaqarri) asht pak dembel dhe i rëndë. S’merr pjesë në bisedime në qarkor dhe s’është shumë i lidhur. Nuk e di se pse dhe si u fut në KQ të rinisë dhe bile unë s’kisha dijeninë më të vogël, vec kur erdh në mbledhjen që kishim, ku qe Xhakua (R Xhangolli). Pieroja (Kondi) gjithashtu interesohet dhe punon me sa i mundet. Asht shok i ri dhe do bëhet i mirë. Shoqet dhe ato punojnë mirë. Sektorët e vajzave kanë pasur mjaft përparime dhe ecën në rregull. Shoqja Hatixhe D që punon me vajzat e institutit kupton shpejt atë që i thua. Ndihet te ajo zhvillimi që ka bërë nga hyrja në parti. Do bëhet një shoqe e mirë, vec asht e penguar sot për sot nga familja. Fatbardha T (Toto)“ gjirokastritja” punon pareshtur me vajzat e shtëpisë, megjithse e sëmurë. Ka vullnet në punë dhe aftësija sidomos për rininë nuk i mungon. Liria është një nga shoqet dhe shokët më të kjartë dhe të zgjuar. Ajo shoqe rritet çdo ditë dhe do bëhet një shoqe e vleshme për partinë. Punon mirë më pionerë dhe merr pjesë aktive në diskutimet e qarkorit. Harrova edhe shokun Lola, punëtorin, jo pse asht punëtor, po mbasi ky asht pak i shkëputur nga rinia pse asht shumë i zënë nga partia. Asht shok i mirë dhe punëtor, i kuptuar, por i pazhvilluar mirë, jep shpresa të mira. Unë nuk kam shumë kohë ti kushtoj rinisë. Vetëm kam shkuar në konferencat që kemi zhvilluar, kam lidhje me edukatoret dhe tashmë së fundi dhe me bërthamën e studentave. Deti jep mendimin që unë të largohem nga qarkori i rinisë që të mund t’i kushtohem më shumë sektorit të grave. Por mua s’më vjen mirë, pse m’ësht e dashur puna me rininë dhe efektivisht unë shkëputem nga rinija pse si anëtare e KD të rinisë unë s’po bëj asgjë.
Rinija këtu i ka shtuar radhët dhe po i shton vazhdimisht, por jo aq sa të mund të shtoheshin këtu në Tiranë. Duke llogaritur rininë që asht larguar në gjithë qytetet e tjera e çeta, rinia komuniste e organizuar këtu e ka kaluar 1000. Ka pregatitur kuadro të rinjsh dhe pothuaj në gjithë qarkoret e rinisë në Shqipëri ka anëtarë dhe sekretarë organizattivë të rinisë të Tiranës. Këto kohët e fundit nga largimi i elementit të mirë në qytetet e tjera, Dibër e çeta asht ndje dobësia e kuadrove, sidomos në rininë studenteske. Ka një të mirë rinija e këtushme, pse ka mundësi të zëvëndësojë punën e atyre që largohen dhe ka mundësi të ngrihen kudarot e reja. Që nga konferenca e Vendit e aktivit të partisë, i kemi dhënë partisë 38-40 anëtarë. Që të gjithë, vetëm me një përjashtim, janë ngritur mjaft, janë aktiv dhe janë shumë të vendosur. Vetëm rinia punëtore është mjaft ulët politikisht dhe organizativisht. Janë të zënë me punë private, u mungon zhvillimi që të ngrihen shpejt dhe ne kemi bërë gabimin që në këtë sektor kemi lënë të punojnë shokët më të dobët të qarkorit, punëtorët, dhe ata nuk e kanë vërtitur dot. Kemi bërë ndonjë të re të punës dhe besojmë se do të ketë përfundime të mira. Rinija asht agjitatore e mirë dhe e palodhur. Asht halë në sy për Ballin dhe armikun. Ta marrësh në përgjithësi bëhet mjaft punë....
Po të shohësh n’organizatë gjen mjaft gjëra që s’ecin. Ka mungea në mbledhjet e aktivit, nuk punohet ashtu siç duhet në rini dhe ajo që çalon më shumë janë grupet edkukative që s’i mbledhin në rregull. Tashi kemi formuar 6 kurse theorike me nga 13 vta në çdo sektor dhe do t’i drejtojnë 6 shokë partije. Përfundimet do t’ua komunikojmë. Tirana ka 27 njësite, disa prej tyre janë shtuar, por nuk janë të gjithë aktivë siç duhet. Nejse, jemi duke formuar bindje se do të shkojmë mirë. Mobilizimi në rini, mbasi janë përjashtuar ato të njësiteve, nuk ka pasur sukses shumë as në rininë e organizuar as në rininë antidfashiste. Fushata po vazhdon. Rinis këtu i pëlqen të rrijë në Tiranë pse s’ka hëngër dru të fortë prej shumë kohe.
Tash para disa ditë bëm një konferencë prej 50 e ca të rinj përgjegjës të organizatës së rinisë këtu dhe erdhi shoku Deti që zhvilloi konferencsë dhe shoku Dr. Të tilla konferenca i vlejnë rinisë. Organizuam teknikën e rinisë. Kemi dy poligrafe e 6 makina daktilografike. Janë rregulluar dhe ekipet e teknikës. Të shohim si do të punojë. Kemi lëndë të gatshme në letra dylli si “gruaja sovjetike”, “socializmi në shoqnin e re”, përmbledhja e librit nëna. Punë ka mjaft për të bërë. Financa e rinisë asht shtuar për çdo muaj. Arrin në 16000 fr.[ranga].
Për rrethet po mendojmë pak më shumë tashti. Janë dërguar si nga rinia skuadra si dhe shokë partije për të organizuar këshillat. Në fund të këtij muaji rinia ka mundësi t’organizojë këshillat antifashistë të saj dhe më 5 nëntor kemi lënë të zgjidhet komiteti i qarkut nga një konferencë prej 100 e ca delegatë. Nuk janë plane këto se e kemi punën në terezi. Terreni për organizimin e rinisë antifashiste ish i pregatitur.
Më thonje të të shkruaj gjerë e gjatë për punën në parti e rini me sukseset e të metat. Gjatë të shkruajta, po gjithë të metat e sukseset nuk t’i thashë. U lodha dhe s’mund të të shkruaj mbase gjëra të kjarta. Të shkruaj herë tjetër.
Pyet për marëdhëniet e shokëve këtu me njëri tjetrin. Un nuk jam në gjëndje të të jap gjëra të sakta dhe të drejta. Un vërtet kam qenë shpesh nga baza e tyre, por kam kaluar andej për punë që kam pasur dhe nuk kam mundur të vë re shumë gjëra dhe nuk kam qenë prezent gjithmonë në bisedimet që bëjnë ata. S’kam gjëra konkrete, por kam përshtypje. Përsa i përket marëdhënieve të Roshos me Detin un nuk kam vënë re. Në qoftë se harron dishka që i porositet s’e besoj ta bëj me ndonjë prapamejtim. Por që lidhjet e Roshos me Dr. [Dishnica] janë më koridale si të thuash, më shumë me shaka se punë, kjo duket. Si Roshua dhe Hyseni vijën bisedojnë me Detin, këshillohen dhe Hyseni më shumë me Detin. Deti me punën e tij ka mundur t’a fitojë autoritetin që i mungonte te Hyseni e Rosho (ti e mban mënd opinoinin e Hysenit për Detin kur doli nga burgu) tashti e tutje po i hap sytë më shumë.
Deti punon mjaft. Bën mbledhje vazhdimisht me shokë t’organizatës dhe ka shkruar (siç e dini vetë). Aj është i zgjuar dhe shikon mirë përpara dhe nuk ashtë aq pesimist si më përpara. (Tjetër punë se ka disa shejtanllëke e fjalë të çuditçme që s’më pëlqejnë.) Bashkëpunimi i Detit me Dr. [Dishnica] ashyt i mirë. Un s’ka vu re gjë.
Dr. ka bërë mbledhje me nacionalistët por nuk e çan kokën shumë më duket. E shoh shpesh të rrijë pa punë, pa shkruar. I a përton më shumë të shkruarit se sa të folurit.. Në konferenca ka folur gjatë dhe mirë dhe simpatija e tij këtu po shtohet. Asht popullarizue shumë në rini e në popull si orator i mirë. Dhe si ‘kokë”. Me gjithë se siç mendoj unë, pozita e tij tashti asht e vështirë pak, pse raportet, letrat i drejtohen Detit, në aktivin e Partis këtu drejtimi qe i Detit, prap ai nuk e bën veten, kam bindjen se e çmon atë dhe këshillohet. Kam përshtypjen se ka më shumë konsideracion për gjykimin e Detit se sa tëndin.. Aj çmon vullnetin tënd, por psh. Kur ti dërgove qarkoren e KQ të P. për dezaprovimin e Konferencën e Mukjes në muhabet e sipër më tha: “Duhet studjuar më mirë rrethanat në të cilat u zhvillua, sigurisht po të jesha atje (d.m.th. së bashku me shokë, në KQ) nuk do të gaboja dhe unë”. D.m.th. atë që bëri ai mund ta bëje edhe ti. Pastaj tha edhe atë që të thashë në Labinot, që nuk është një gabim i madh fort etj., por edhe u tha shokëve që un do t’i jap hesap K.Q dhe ju, me lidhjen tuaj, jepni mendimin tuaj.
E vërteta është se para se të nisesh Dr. për në Mukje, kur unë i thashë të mos e marrë Hysenin, aj më tha: “Duhet t’a dish shoqe, këtu është punë koke”, përgjegjësia është e madhe. Dua të kem 2 a 3 shokë të këshillohem”. ǒe do se edhe këshilltarët ranë brenda. Aj e ndjen tashti gabimin që ka bërë e që na ka kushtuar mjaft. Por Dr. është një natyrë që nuk e mërzit veten shumë, të paktën kështu len me kuptue nga jashtë. Në kohët e para qe shumë i mërzitur, sigurisht Dr. asht një shok që s’ka se si të mos e ndjejë përgjegjësinë e tij. Për sa i përket konspiracionit asht lëshuar fare. Un kam frikën se do t’a pësojmë me kaq lëvizje që bajnë në shtëpijat ku vemë. Më shumë se nga vëzhgimi i policisë, më shumë nga kontaktet e ndryshme dhe njerëz që s’dinë se ç’do me thënë konspiracion. Më shumë se nga spiunazhi, nga naiviteti mund që të zbulohen bazat.. Por “bereqatvesën” që s’ka reaksion, por edhe me këtë e kemi lëshuar shumë litarin.
Për gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave un ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’kanë besim që t’a kem raportuar drejt çështjen e A. P. e të tjerëve, prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të pa drejtë., me gjith se un ua parashtrova atë që u raportova juve. Me gjithë se s’më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qënë un që u thashë që t’a sjellin A. P. atje, por un thashë atë që më thatë, por pasi nuk pranuan unë bëra gabimin që aprovova mendimin që mund të vijë A. [P.] tek ju. Me gjithë atë mua s’më vjen keq, mund të thuash ç’të duash për mua.
A u lodhe duke lexuar gjithë këtë gazetë, mos më mallko veç, sa për të sharë sa të duash. Dhe një gjë që duhesh në fillim, por isha duke shkruar kur morra vesh se Qazim Çakërri u plagos rëndë. Kish 4-5 ditë që e ruanim. Mbasdite afër shtëpis tënde dhe në rrugë, mund te shkolla kur qe me 3 [5?] vetë tue shkue, e qëlluan, ç’edo që s’ka vdekur ala. Edhe Mustafa Kruja na shpëtoi. Atentati ka bërë shumë përshtypje.
Të fala shoqnore
Delegati
14/X/43