E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç: Jam krenar që jam mik i Sali Berishës

Nga top-channel.tv

Damir Fazlliç, biznesmeni i shumëpërfolur boshnjak, thyen heshtjen. Në të parën intervistë, në dhjetë vitet e fundit, mohon gjithçka që është shkruar për të deri më tani. E cilëson median në Ballkan si të tërbuar, madje shumë të tërbuar kohët e fundit, saqë çdo gazetar që i kërkon intervistë, e refuzon menjëherë.

Pas një pritjeje për më shumë se gjashtë orësh përpara shtëpisë ku banon, në veri të Londrës, në një lagje të pasurish, shfaqet Fazlliç me një telefon në dorë, duke folur në serbisht. Më i dobët në paraqitje se ç’duket në fotot që qarkullojnë në media, i veshur thjesht si për një ditë me shi, Fazlliç duket i qetë.

Fillimisht refuzon të flasë, duke drejtuar gishtin nga një botues i një të përditshmeje në Tiranë si strumbullari i të gjithë kësaj “bad press”, publiciteti të keq, në adresë të tij.

Pasi biem dakord që intervista do të jetë vetëm për atë pjesë që ka të bëjë me arrestimin në Bosnjë, biznesmeni më i përfolur për momentin në Ballkan pranon të flasë.

Improvizojmë një intervistë të shpejtë në hollin e apartamentit luksoz ku banonte.

Përmes kësaj interviste për “Top Channel” ai rrëfen nga Londra për ndalimin e bujshëm të së premtes, bizneset në Shqipëri, madje nuk kursehet të komentojë lidhjet e tij miqësore me kryeministrin, Sali Berisha.

Përpara intervistës, Fazlliç që flet me një aksent amerikan, fillimisht pranon të intervistohet vetëm me një kusht, që të flasë për atë pjesë të zhurmshme që ka të bëjë me ndalimin në Bosnjë.

Por më pas, me një qetësi absolute, nuk refuzon t’i përgjigjet një mori pyetjesh të tjera, duke hedhur një dritë të zbehtë rreth aktiviteteve në Tiranë. Megjithatë, Fazlliç mbetet njeriu që mbart shumë mistere, më të mëdha se 33 vite të moshës që mban mbi supe.

Që në fillim, kur e pyesim, nëse ai është arrestuar të premten e shkuar në Bosnjë dhe më pas është lënë i lirë, Fazlliç jep një përgjigje të prerë:

“Jo, jo, kurrë nuk jam arrestuar gjatë jetës sime në asnjë vend. Ne jemi në Londër dhe unë nuk jam në qeli në Bosnjë. Di që shumë gazeta shqiptare e kanë raportuar një lajm të tillë. Pse e kanë bërë? Këtë nuk e di përse”.

Në fakt, ai e ka të qartë se nga buron ky agresivitet i medias në të tilla rate, si në vendin e origjinës, apo edhe së fundi në Shqipëri. Megjithatë, ngulmoj në faktin se ai, në mos arrestuar, të jetë ndaluar nga policia boshnjake. Më duhet ta ripyes, duke ndërtuar një fjali ndryshe.

Disa pamje të transmetuara në televizionet e Bosnjës, ju tregojnë ju të rrethuar nga policë. Si e shpjegoni një gjë të tillë?

“Unë nuk i kam parë këto filmime”, - përgjigjet në mënyrë të prerë, duke mohuar kështu një ngjarje të tillë, përcjellë me bujë nga shumë televizione apo agjenci lajmesh në Ballkan.

Ardhja në Londër menjëherë pas ndalimit në Bosnjë ngre një sërë pikëpyetjesh. Përse zgjodhi këtë vend dhe nuk shkoi në Uashington, ku shpenzon të shumtën e kohës?

Kjo ardhje mund të shërbejë si një tjetër argument për hamendësimet apo ata që besojnë idetë konspirative, se Fazlliç është i rekrutuar nga shërbimet sekrete britanike, siç edhe është aluduar në mediat boshnjake.

Megjithëse ka pak ditë në Londër dhe nuk ka dyshim se e mban mend datën kur ka ardhur në Angli, Fazlliç jep këtë përgjigje:

“Tri apo katër ditë”, - pohon ai, - duke ndaluar dhe hedhur shikimin nga kamera që do filmonte bisedën.

Duke parë që ai me çdo kusht kërkon të më bindë se nuk është arrestuar, e pyes përsëri.

Pra, në mënyrë kategorike ju mohoni të jeni arrestuar?

“Siç ju thashë, asnjëherë në jetën time”, - deklaron ai ftohtë, duke treguari qartë se çdo lloj pyetje që do të pasonte, kishte për të marrë të njëjtën përgjigje.

Një prej pikave më të debatueshme të aktivitetit në Shqipëri të Damir Fazlliç është ndërtimi i disa kompanive fantazmë, të cilat nuk kanë patur asete, por, siç vërtetohet nga një akt shitjeje, rezulton të jetë shitur 1 milion e 700 mijë euro.

Por sa është numri kompanive të regjistruara në Shqipëri që kanë pronësinë e Fazlliç?

Një përgjigje nga vetë ai do të ndihmonte shumë për të patur një panoramë reale të investimeve që ka në Tiranë.

“Nuk e mbaj mend sesa kompani kam. Ajo që mund të pohoj është se unë jam një investues në Shqipëri. Besoj se Shqipëria ka shumë, shumë potenciale të frytshme për të investuar. Ju keni një qeveri largpamëse. Po, unë jam një investitor aktiv në Tiranë”

Nga deputetë të opozitës apo në media shpeshherë kohët e fundit është lakuar emri i Mihal Delijorgjit si një njeri që ka patur lidhje me karizmatikun Fazlliç, njohur ndryshe si super-sekseri i Ballkanit. Sipas tij, emri i Delijorgjit është i panjohur për të.

“Është hera e parë që e dëgjoj një emër të tillë”, - thotë Fazlliç, kur e pyes, nëse e kishte njohur apo bashkëpunuar me Delijorgjin përpara arrestimit të këtij të fundit.

Siç është raportuar në mediat shqiptare masivisht ditët e fundit, Erion Isufi është një tjetër personazh i lidhur ngushtë me bizneset e Damir Fazlliç në Tiranë. Nga dokumentet zyrtare figuron se Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, të jetë administrator i të paktën tri bizneseve. Besohet se Fazlliç e ka larguar atë nga puna. Por ky i fundit jep një tjetër variant të kësaj ngjarjeje.

“Unë nuk e kam hequr zotin Isufi nga puna. Ai ka shkuar të merret me bizneset e tij private. E shikoj atë si një djalë të ri me potenciale”.

Zoti Isufi ishte menaxher apo partner në bizneset tuaja?

“Ai ka menaxhuar vetëm një prej bizneseve të mia”.

Fazlliç shquhet për lidhjet e tij me politikanë në të gjithë Ballkanin, gjë e cila padyshim është çelësi i suksesit në bizneset apo ndërmjetësimet mjeshtërore që mbajnë firmën tij. Shqipëria nuk bën përjashtim.

Shpeshherë, përpara dhe pas ardhjes së demokratëve në pushtet, Fazlliç është ulur në një tavolinë me kryeministrin Berisha, sikurse mund ta kenë bërë edhe biznesmenë të tjerë ndërkombëtarë. Njohës të mirë të marrëdhënieve Berisha-Fazlliç pohojnë se mes tyre kjo miqësi mbetet në nivele të larta, ashtu si edhe vetë Fazlliç e pohon me gojën e tij.

“Jam krenar të konsideroj zotin Berisha si një nga miqtë e mi”, - deklaron ai, kur i drejtoj pyetjen: Si shkon miqësia me kryeministrin e vendit?

A do të thotë ta pasurit miqësi me zotin Berisha, avantazhe në bizneset e tij në Shqipëri?

“Nuk më duhet të jem mik me zotin Berisha për të patur avantazhe në biznes. Unë mendoj se ligjet në Shqipëri, të hartuara nga qeveria, janë të mjaftueshme për cilindo investitor të huaj, për të zhvilluar një biznes pa qenë mik me kryeministrin apo ministra të tjerë”.

Përgjigjet e Damirit, kur e pyet për kryeministrin Berisha janë më të gjata se të gjitha pyetjet e mëparshme të marra së bashku.

Por, kur janë takuar për herë fundit dy miqtë Berisha-Fazlliç?

“Si investitor, një vit apo nëntë muaj më parë, kur ne prezantuam te qeveria një projekt tonin”, - përgjigjet ai.

Nuk do të kishte kuptim, nëse kjo intervistë me Fazlliç do të përfundonte pa e pyetur rreth shitjes së njërës prej pesë kompanive që ka në Shqipëri, e quajtur “Crown Acquisitions”, një kompanie në Qipro. Pavarësisht se ekziston një akt shitjeje me vlerë 1 milion e 700 mijë euro, Fazlliç e mohon një shitje të tillë. Përgjigjet me tri fjalë.

“Nuk është e vërtetë”, - dhe vetëm kaq.

Si është mundur që thoni ‘s’është e vërtetë’, kur ka dokumente të firmosura nga avokatja Flutura Kola, të cilat tregojnë se e keni shitur këtë kompani?

“Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje, pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj rreth gënjeshtrave që njerëz si Mero Baze kanë shkruar. E vetmja gjë e vërtetë e shkruar është emri im, të tjerat janë gënjeshtra”.

Damir Fazlliç nuk pranon t’i përgjigjet pyetjeve të tjera, por premton se në një kohë të përshtatshme do të jetë i gatshëm të flasë përsëri.

“Do të rishikohemi së shpejti. Ju premtoj t'ju jap një intervistë të gjatë, me një kusht që fjalët e mia mos të ndryshojnë”, - premton Fazlliç, i cili lë të kuptojë se beson më shumë një gazetar shqiptar sesa ata në vendin e origjinës, të cilët i kanë hapur jo pak telashe me shkrimet e tyre investigative.

Pavarësisht kësaj, Fazlliç, nëse do të vihet përsëri përballë mikrofonit të “Top-Channel”, zor se do ta ketë të lehtë të gjejë përgjigje bindëse ose do të vazhdojë të japë përgjigje mohuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›