E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP: Nëntor-dhjetor, nis kthimi fizik i pornave

Procesi i kompensimit fizik të ish-pronarëve pritet të fillojë gjatë dy muajve të mbetur të deri në fund të vitit 2008. Sipas drejtorit të AKKP, Tunxh Vatnikaj do të përfitojnë ata që kanë dorëzuar më parë se të tjerët dosjen. 

TIRANE- Sipas drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, gjatë dy muajve të mbetur të deri në fund të vitit 2008, pritet të fillojë procesi i kompensimit fizik të ish-pronarëve. "Kjo do të thotë, - tha ai, - që ish-pronarët, të cilët, për arsye të ndryshme nuk marrin dot atë pronë që kanë pasur ata, ose familjarët, prej të cilëve kanë fituar të drejtën e trashëgimisë, do të kompensohen me një pronë tjetër që shteti do t'u ofrojë". Këto deklarata u bënë në një intervistë televizive dje. Vatnikaj, gjithashtu theksoi se lidhur me radhën e realizimit të këtij procesi në morinë e kërkesave të ish-pronarëve, do të përfitojnë ata që kanë dorëzuar më parë se të tjerët dosjen, e cila ka të shënuar e regjistruar datën e pranimit nga AKKP-ja.
Verifikimi
"Paralelisht me këtë proces, - shtoi ai, - do të vijojë edhe verifikimi i titujve të pronësisë, të përfituar nga ligji 7501. Çdo tokë e marrë në mënyrë të padrejtë, do t'i kthehet pronarit të vjetër. Ligji për verifikimin e tokave të ndara me ligjin 7501 erdhi si një domosdoshmëri, pasi abuzimet me pronat nisën pikërisht me këtë ligj", sipas Vatnikajt. Nisma e qeverisë parashikon që brenda tri vitesh të vërë rregull në kaosin aktual të pronave të ndara, sipas kërkesave të këtij ligji.
Kryeministri
Nga ana e tij, për të njëjtën çështje dje ka folur edhe kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Ai e konsideroi madje, reformën e pronësisë si bazën e të gjitha reformave, pasi sipas tij, "suksesi i kësaj reforme është kushti më kryesor për suksesin e qëndrueshëm të reformave të tjera". Kjo deklaratë u bë në ambientet e Kryeministrisë, ku ishin thirrur prefektët e vendit, ministra, si dhe anëtarë të Komisionit Qendror të Rivlerësimit të Titujve të Pronësisë, për të diskutuar mbi ligjin "Për titujt e pronësisë". Duke e konsideruar verifikimin e titujve të pronësisë si detyrën e të gjitha detyrave, kryeministri u shpreh se "realisht, ky është problemi më madhor i vendit". "Zgjidhja e kësaj çështjeje do t'i japë përgjigje përfundimtare pronësisë në Shqipëri, ndaj dhe çështja e pronësisë është çështje e rendit të ditës së qeverisë", - tha Berisha.
E kaluara
Duke akuzuar vetëm paraardhësit qeveritarë për moszgjidhjen e problemit, Berisha tha se "ne trashëguam nga tetë vitet pararendëse një mal të madh me falsifikime dhe një kaos të vërtetë. Ne trashëguam shkallën më të lartë të ekstralegalitetit në Evropë dhe ndoshta në botë. Të gjitha këto komplikuan në mënyrë ekstreme çështjen e titujve të pronësisë". Duke siguruar se qeveria e tij do të bëjë çdo përpjekje që ky problem të marrë përgjigjen e duhur.
Ndërkohë, gjithashtu, ai tha se problemi i titujve dhe kaosi për titujt është i lidhur dhe me atë trashëgimi shumë të varfër në raport me titujt e pronësisë që la diktatura komuniste. Në këtë kuadër ai vuri në dukje se janë rrethe të tëra, në të cilat nuk gjendet një dokument pronësie.
Procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kompleks, por është absolutisht i mundshëm, tha zoti Berisha duke kërkuar njëkohësisht edhe dixhitalizimin e këtij procesi.
Raporti
Një vit më parë, në kuadër të analizës së BE-së lidhur me zbatimin e detyrave të MSA-së nga qeveria shqiptare, ekspertët e Brukselit theksuan se qëndrimi lidhur me kthimin dhe kompensimin e pronave mbetet një nga pengesat kryesore për aderimin e vendit në Bashkimin Evropian.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›