E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri, njëri nga ata

Nga Mero Baze

Dëgjova kryeministrin që përgjigjej dje në Kuvendin e Shqipërisë për Damir Fazlliçin. Fliste, qeshte, kërcënonte dhe mbronte një mafioz.

Nuk dihej pse fliste, kur nuk kishte për të thënë asgjë kundër akuzave që iu bënë publikisht. Nuk dihej pse qeshte, kur aty s’kishte asgjë për të qeshur; vajza e tij akuzohej se kishte pastruar 1milion e 750 mijë euro. Nuk dihej pse kërcënonte, kur ai është njeriu më i kërcënuar në gjithë këtë histori. E vetmja gjë e justifikuar ishte që mbronte Damir Fazlliçin. Kjo tregon shkallën e lirisë së tij nga mafia.

Por nuk dua t’i ngjaj Lulëzim Bashës në këto rreshta. Thjesht dua të nënvizoj një dimension të ri të daljes publike të kryeministrit. Ai tha një gjë shumë të rëndë, që çdokush që mund ta thotë në botë, shkon në pranga. Ai tha se ka fakte, kaseta, dokumente dhe dosje që implikojnë kundërshtarë të tij ose ish-politikanë dhe biznesmenë në Shqipëri. Tha qartë që “i kam”. E përsëris, tha që “i kam” dhe nëse parlamenti i kërkonte dorëheqjen, ai mund t’i nxjerrë ato.

Ky në të vërtetë është një lajm i madh, që i kalon të gjitha lajmet. Kot lodhemi të gjurmojmë mafian, nëse kryeministri e njeh. Kot lodhemi të futemi në rrugicat e pista të Damir Fazlliçit, kur gjithë gjërat i di Sali Berisha. Kot i kërkojmë Ina Ramës të fillojë hetimet për Fazlliçin, kur kryeministri e pranon atë publikisht si mik dhe deklaron se ka dosjen e mafies shqiptare, me të cilën mbaka peng politikën shqiptare.

Dje, kryeministri na dha një lajm të madh, të pabesueshëm, por të rëndë për nga pesha. Na tha të mos e ngacmojmë, se do të denoncojë mafian. Duke thënë këtë, do të thotë se të gjithë ata që e sulmojnë janë mafiozë si ai, ndaj është më mirë të mos hapen letrat.

Kjo është një ngjarje e rëndë politike, që duhet mbajtur shënim. Është më e rëndë se spoti antikorrupsion që thotë denonconi tek unë dhe jo te drejtësia. Ne paskemi një dëshmitar të munguar për drejtësinë shqiptare që paska filmime, dokumente dhe dosje, të cilat dëshmojnë inkriminimin e kundërshtarëve të tij.

Zoti kryeministër, nëse dje në seancë ishe vërtet i qetë, vërtet i relaksuar, ngaqë buzëqeshje, vërtet i vetëdijshëm për ato që thoshe, atëherë mos vono asnjë minutë. Pa të kërkuar askush votëbesimin apo mosbesimin, dil e tregoju shqiptarëve mafian. Ata kanë vite që po e presin këtë ditë. Kanë që nga 3 korriku i 2005 që të presin ty t’ua tregosh. Shumë klientë të mafies i bëre miq të djalit dhe vajzës. Delijorgjin, Taçin dhe të tjerë, që i akuzoje për mafiozë, i ke të parët e shtëpisë. Të tjerë, që i akuzoje për Klanin e Zemunit, i harrove, kurse njeriun real të Klanit të Zemunit, Damir Fazlliç, kërkon të na e imponosh si kryeprokuror të Shqipërisë.

Zoti kryeministër, dil dhe trego mafian. Pasi ta tregosh, shko urgjent tek Ina Rama, Silvia Konti e drejtësisë shqiptare, siç vetë e ke quajtur dhe eja të të mbështesim ta rrëzosh atë. Mos vono asnjë orë dhe asnjë minutë. Është vonë për orën tënde të së vërtetës, por më mirë vonë se kurrë.

Por, zoti kryeministër, mos e bë atë gabim që bëre. Mos kërcëno se do të denoncosh mafian, po të kërkuan mocion mosbesimi. Nuk je kryeministër nga pakti me mafian, por nga pakti me shqiptarët. U ke thënë atyre do luftosh mafian dhe duhet ta luftosh. Askush nuk të ka votuar më 2005, që të marrësh dosjet e mafies dhe të mbash peng kundërshtarët e tu. Ishte e trishtueshme e diela në Tiranë, kur media akuzonte vajzën tënde për pastrim parash dhe opozita lavdëronte Xhuvelin për pastrim ajri. Është e zymtë jeta në këtë vend, kur kryeministri qesh…qesh…qesh në mënyrë të frikshme, duke thënë, mes të qeshurave, se “kam dosje mafiozësh, prandaj mos më ngacmoni”.

Zoti kryeministër, nëse ke qenë i përgjegjshëm kur fole dje në Kuvend, sot duhet ta nisësh ditën e punës te zyra e Ina Ramës dhe më pas në konferencë për shtyp. Të na thuash a je trim ta denoncosh mafian, apo do të vazhdosh të ruash paktin me të. Nuk e dinim këtë pakt, por vetë na e the dje në Kuvend. Na the “mos më ngacmoni, se do hap dosjet e krimit.” Hapi një orë e më parë. Mos u sill me to si me dosjet e Sigurimit të Shtetit që nuk i hape kurrë vetëm nga dëshira për të përdorur spiunët. Tani, njësoj si atëherë, kërcënon për të përdorur për interesa të tua dhe familjes tënde kriminelët dhe trafikantët. Jepi fund paktit me ta dhe ktheju paktit që ke bërë me shqiptarët. Ndryshe, pas disa vitesh, do të jesh një prej atyre, madje më i madhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›