Ja ku i ka marrë paratë e shqiptarëve Damir Fazlliç
Përgjigje Lulëzim Bashës
Superspekulanti Damir Fazlliç ka marrë realisht 1 milion e 750 mijë euro, jo për të shitur një kompani fantazmë, por për të marrë bakshishin e blerjes së energjisë nga firma serbe “Rudnap”. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta “TemA”, Aleksander Lupsiç, pronar i kompanisë “Rudnap” me qendër në Vjenë, në rrugën kryesore të saj, Kärntnerstraße, është kompania, e cila na ka shitur 34.3 milionë euro energji (Faksimile 2).
I njëjti njeri, pra Aleksandër Lupsiç, është dhe pronar real i “Altaria Research Limited” në Qipro, që më 9 korrik ka blerë kompaninë “Crown Acquisitions” për shumën e 1.750 mijë eurove (Faksimile 2).
Fakti që Fazlliç ka shitur një firmë fantazmë me një çmim astronomik një njeriu që ka blerë energji në Shqipëri dhe konsulentë të blerjes së energjisë janë të njëjtët avokatë, tregon se transferta është bërë për të ndarë bakshishin e blerjes.
Gazeta i lutet prokurorisë ta hetojë këtë rast të rëndë korruptimi.
Për të krijuar më mirë idenë për lexuesit se cila është kompania “Rudnap” që na ka shitur energji me çmime marramendëse dhe në kushte krejt të fshehta, gazeta “TemA” po risjell më poshtë një shkrim të “Gazeta Shqiptare” në lidhje me këtë skandal. Prej aty del se Fazlliç është i punësuar pranë “Rudnap” dhe këtë e pohon gazeta “Slobodna Bosnia”. Por nuk mjafton që gazeta ka shitur energji super të shtrenjtë për Shqipërinë, por ajo është dhe në listën e zezë të SHBA për aktivitete të saj në dëm të interesave amerikane, e për më keq, në dëm të interesave të kosovarëve.
Fazlliç, sekseri për shitjen e energjisë nga serbët
Tentakulat e Damir Fazlliç në Shqipëri shtrihen deri te tenderat e energjisë elektrike. Plot 34.3 milionë euro nga Shqipëria kanë mbërritur me ndërmjetësinë e këtij mediatori, ortaku i kunatit të ministrit Basha dhe miku i ngushtë i qeverisë ‘Berisha’, në kompaninë serbe “Rudnap”, ndërkohë që sipas të gjitha verifikimeve, Damir Fazlliç është i punësuar dhe merr rrogën nga kompania serbe.
Sipas mediave serbo-boshnjake, vetë kompania “Rudnap” që sjell energji elektrike me eksport edhe në Shqipëri, është e përfshirë në afera korruptive dhe pronari i saj ka një lidhje të veçantë me Fazlliç.
Gazeta boshnjake “Slobodna Bosnia” në janar të këtij viti raporton një skandal me këtë firmë. “Rikthimi i Fazlliç në skenën e krimit” është një nga çështjet e artikullit. “Pak muaj më parë (para janarit 2008), - thuhet në artikull, - “Rudnap” i Lazareviç konkurroi për të blerë një kompani energjie në Sarajevë. Megjithatë, tenderi u anulua për shkak të statusit të paqartë të firmës. Muaj më parë, “Rudnap” përfitoi nga kompania elektroenergjitike në B-H, në kushte të dyshimta, një kontratë prej 40 milionë markash boshnjake (20.451.675 Euro) për rikonstruksionin e termocentralit në Tuzla. Një kompani hungareze “Transelectro” fitoi kontratën, por kontraktori aktual është “Rudnap”. Një lidhje e rëndësishme e këtyre marrëveshjeve është një ndërmjetës me eksperiencë, Fazlliç, që nuk i ka dhënë ende fund krimeve të tij dhe ka grabitur pará nga qeveria e Sarajevës. Është shumë e njohur që për rreth 1 vit, Fazlliç ka qenë këshilltar privatizimi për Bankën e B-H “Investicijska” dhe përgatiti privatizimin e një tjetër kompanie shtetërore “Sarajevo Tobacco Factory”. Rroga mujore e Fazlliç ishte e pabesueshme, 25 mijë marka dhe shpërblimet e tij të ndyra paguheshin nga Byroja Federale e Punësimit. Në 2001, Fazlliç u pushua nga Banka dhe mbi të u ngritën akuza kriminale për mashtrim. Ai lëvizi në Beograd dhe vendosi kontaktet me Lazareviç të “Rudnap”, - thuhet në artikullin e “Slobodna Bosnia”.
Pra, sipas shtypit boshnjak, Damir Fazlliç është ndërmjetësi i mikut dhe ortakut të tij në biznes, Vojin Lazareviç, pronar de facto i “Rudnap”-it, që prej një kohe të gjatë. Ai është i njohur sidomos në përpjekjet për të blerë kompaninë energjitike të Bosnjës, por Sarajeva zyrtare ka dhënë refuzim të prerë për këtë transaksion. Në rastin e Shqipërisë, duket se ai e ka pasur situatën shumë më të thjeshtë, si pasojë e lidhjeve personale që ka lidhur ndërkohë me familjen e kryeministrit Berisha dhe këshilltarin e tij amerikan, Tom Ridge.
Pas kësaj marrëdhënieje të re, zbardhen edhe shumë detaje interesante të operacioneve të “Rudnap” në Shqipëri. Sipas dokumenteve të KESH, që dikur publikoheshin normalisht, deri në momentin kur korporatës iu “mbyll goja” nga lart, serbët e “Rudnap” duket se kanë qenë e janë favoritët e mëdhenj të shitjes së energjisë elektrike drejt Shqipërisë. Ata nuk kanë ofruar çmimin më të mirë, por gjithnjë gjatë tenderave të fundit, të shpallur nga KESH, kanë zënë vendin kryesor në importimet shqiptare. Kapaciteti i transmetimit të energjisë, prej 200 megavatësh, ka lënë jashtë loje partnerët e dikurshëm të EFT apo të EGL, por, jo vetëm kaq: në të tre lotet për vitin 2008, “Rudnap” ofron shifrat më të larta të furnizimeve si sasi: 9,2 milionë euro (nga 30 milionë të paraqitura) për lotin e parë, 9,7 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e dytë dhe 10 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e tretë. Çmimet e ofruara nga kompania nuk kanë qenë bujare, duke kaluar nga 63, në mbi 70 euro për megavat/orë. Ndërkohë, vetëm për muajin gusht, KESH njoftoi se kishte lidhur kontrata furnizimi, si me “Rudnap”, ashtu edhe me GEN, që të dyja nga Serbia, me një vlerë të përgjithshme prej 5,4 milionë eurosh.
Por jo vetëm kaq. Historia e “Rudnap”, që qeveria “Berisha” e ka përfshirë në tenderat e saj, është më e thellë. Në vitin 1999, kjo kompani u vendos nga autoritetet amerikane shtetërore në listën zyrtare të formave të huaja, ndaj të cilave ushtrohej embargo (nga Office of Foreign Assets Control). Kjo, për shkak të kontributit që kompania në fjalë ka dhënë kundër interesave amerikane - dhe të Perëndimit në përgjithësi - në kohën e luftës në Kosovë. Megjithatë, ky listim nuk e ka penguar qeverinë. “Rudnap” me kalimin e kohës arrin të marrë madje “pjesën e luanit” në furnizimet e energjisë elektrike që vazhdon të blihet nga jashtë, me të paktën 34.3 milionë euro përgjatë këtij viti.