Kuvend, Ahmetaj: Taska e sheshtë padrejtësi shoqërore

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën e radhës ku po diskutohet projektligji "Për tatimin mbi të ardhurat". Duke folur në seancën plenare deputeti i PS-së Arben Ahmetaj e cilësoi taksën e sheshtë si taksë varfërie.
Sipas tij kjo taksë është një padrejtësi shoqërore pasi i merr çdo qytetari 5 milionë lekë të vjetra në 10 vjet ndërkohë që favorizon ata persona të cilët kanë të ardhura të larta.
“Sipas taksës sonë progresiste që ju e hodhët poshtë kryeministri Berisha do të duhej të paguante më shumë nga sa paguan tani ndërsa 4 infermierë paguajnë në 10 vjet 20 milionë lekë më shumë” theksoi Ahmetaj.
Kuvendi pritet të votojë sot në seancën plenare raportin e komisionit hetimor "Për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të Kreshnik Spahiut, zëvëndëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë". Raporti i miratuar dy ditë më parë nga komisioni konstaton se pas hetimit parlamentar Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues i zv/kryetarit të KLD-së, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike.
Kuvendi në seancën e sotme pritet të shqyrtojë disa pr/ligje ekonomike si disa ndryshime në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", një ndryshim në ligjin "Për statistikat zyrtare" dhe në ligjin "Për prokurimin publik".
Gjithashtu në punimet parlamentare të ditës së sotme është përfshirë dhe një interpelancë me Ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e kërkuar nga deputeti socialist, Erjon Braçe.