E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Idrizi: Rezoluta jo gjyq historie, por kërkim ndjese

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje një minutë heshtje, në kujtim të viktimave të genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë. Kjo ishte kërkesa e parë e kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në fjalën e mbajtur dje në Kuvend. “Parlamenti i vitit 2011, nuk është parlamenti i turpshëm i 2004, i cili nuk guxoi të miratonte një rezolutë, e cila vetëm sa i kërkonte drejtësi europiane fqinjit tonë verior, për gjenocidin e kryer mbi popullsinë çame. Policia që rrethonte parlamentin, sikur ata të mos ishin shqiptarë, mendoi të ngrinte dorë dhe të përgjakte ata pleq që donin drejtësi nga parlamenti i shqiptarëve. Po ua kujtoj këtë, sepse sot është ndryshe, sot ne përfaqësuesit e këtij komuniteti jemi në parlament, pjesë e Koalicionit për Qytetarin, një koalicion vlerash dhe ku ne kemi kontributin tonë, e presim mbështetje nga ju si shqiptarë dhe partner në koalicion”, - tha dje Idrizi. Kryetari i PDIU-së sqaroi më tej: “Rezoluta nuk është ndonjë shpallje lufte, përkundrazi afirmim i një bashkëjetese në paqe, që duhet të ekzistojë me fqinjët, bashkëjetesë që kalon nga e drejta. Është afirmim i dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar”. Sipas Idrizit, rezoluta synon të jetë një vijë sjellje e pashmangshme nga asnjë qeveri. “Ajo do t’i kërkojë qeverisë të ngrejë në takimet me palën greke respektimin e Traktatit të Miqësisë, e Konventave europiane. Rezoluta nuk do të kërkojë gjyq historie për fqinjin, por kërkim ndjese, për të lehtësuar ndërgjegjen e të gjithëve. Rezoluta nuk kërkon rishikim kufijsh, por restaurim, rikthim të së drejtës tek i zoti”, - shtoi ai. Në fjalën e tij, Idrizi iu referua edhe rasteve të ndalimit të çamëve në kufi. “Si mundet sot, pleqve 75-80 vjeçarë t’u mohohen frytet e lirisë dhe demokracisë, lëvizja e lirë e njerëzve, heqja e vizave, sepse në pasaportat e tyre biometrike, të lëshuara nga shteti shqiptar, është shënuar vend lindja e tyre e vërtetë Çamëri, vendlindja e vërtetë, aty ku i ka vënë Zoti. Çdo të bëjmë ne të nderuar deputetë, ministra e dinjitarë të shtetit shqiptar. Do vazhdojmë të strukemi para këtij turpërimi të përditshëm, që na bën fqinji ynë, apo do të reagojmë? Unë them të veprojmë. Diplomacia jonë të veprojë. Ne i jemi drejtuar Presidentit të BE-së Barroso, Komisionerit Fyle, Komisionerit të lartë për të drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, z. Hamerberg”, - tha Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›