E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: PS-ja do ta ankimojë ligjin në Kushtetuese

Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, tha se ligji bie ndesh me 20 nene të Kushtetutës

TIRANË- Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar dje në Kuvend se ligjin e miratuar në Kuvend, do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë fjalës së mbajtur, Leskaj ka theksuar se drafti për dosjen është model tipik shqiptar dhe nuk i ngjan aspak modelit çek, për të cilën Kryeministri Berisha pretendoi se është bazuar. “Kryeministri iu referua modelit çek për ligjin e dosjeve, pra atij të Havelit, por modelit çek i ka shtuar nja 3 - 4 nene shqiptarë dhe nuk ka mbetur asgjë nga modeli çek, duke e bërë tërësisht një model shqiptar. Pra, ligji i propozuar është model shqiptar. Haveli, kur bëri ligjin nuk ishte në konflikt interesi me drejtësinë, ndërsa Kryeministri Berisha është në konflikt interesi me drejtësinë për shkak të aferave korruptive”,- tha Leskaj. Menjëherë pas fjalës së Kryeministrit Sali Berisha, kur mbajti një referat të gjatë lidhur me ligjin e dosjeve, Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së ka deklaruar seprojekti i paraqitur provon se mazhoranca nuk është e interesuar të pastrojë politikën dhe drejtësinë. “Është qartë seedhe ky projekt është bërë jo për interesa kombëtare, jo për interesa të njerëzve, jo për interesa transparence, apo pastrimi, po për motive e interesa private. Çështjen e dosjeve ju e mbajtët për më shumë se dy vjet në sirtar, për ta nxjerrë sot, kur u duhet të spostoni vëmendjen nga skandalet korruptive që janë të papara e dëgjuara. E nxirrni para zgjedhjeve, sidomos kur ndjeni nevojën për të trembur ata që brenda jush marrin kurajën të pipëtijnë, e nxorët nga sirtari tani që keni probleme me drejtësinë, për t’i bërë presion që të mos veprojë. Doni të godisni Prokurorinë për të mbyllur super-skandalet korruptive që lidhen me dosjen e rugës Rrëshen-Kalimash, me dosjen e Gërdecit, me dosjen e Fazlliçit, me atë të Remzi Hoxhës, e të tjera që presin në radhë”,- tha Leskaj. Kryetarja e deputetëve socialiste shtoi se projekti është antikushtetues dhe bie ndesh me ligjet organike në fuqi për institucionet e drejtësisë, bie ndesh me parimet dhe kriteret e Këshillit të Europës, dhe së fundi edhe me Rregulloren e Kuvendit. “Projekti ka papajtueshmëri me të paktën 20 norma të saj. Ai cenon dhe shkel në mënyrë flagrante garancitë kushtetuese mbi mandatet e organeve kushtetuese, të cilat përmbajnë një numër të shteruar të rasteve të përfundimit të detyrës si për: Presidentin, deputetët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e gjykatave të Faktit dhe Apelit, Prokurori i Përgjithshëm, të zgjedhur vendorë, etj”,- tha Leskaj, duke theksuar se projekti në fjalë cenon 20 nene kushtetuese. Ajo shtoi se nëse ky projektligj miratohet,atëherë institucionet e drejtësisë futen në krizë, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese. Leskaj theksoi, gjithashtu, se projekti në fjalë nuk është bërë me konsulencë të institucioneve të specializuara në këtë fushë. Për këtë arsye, Leskaj i ka kërkuar PD-së që të tërheqë projektin, të konsultohet me ekspertë të Këshillit të Europës dhe OSBE/ODHIR-it, në rast të kundërt, ajo paralajmëroi se PS-ja nuk do bëhet pjesë e këtij procesi për një ligj antikushtetues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›