Kancelarja gjermane, Merkel, citon shprehjen e Berishës
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka përdorur dje në Berlin një citat të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për të ilustruar domethënien e samitit të NATO-s, që do të zhvillohet më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës. Ky lajm është bërë i ditur nga radioja "Deutsche Welle", e cila ka bërë publike pjesë nga diskutimi i Merkel. "Jam shumë e interesuar që këtij samiti t‘i jepet rëndësia e duhur. Ndoshta do të na ndihmonte për këtë një citat nga një intervistë që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i pat dhënë të hënën e kaluar gazetës ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung‘", tha Merkel. Pyetjes se çfarë do t‘i sjellë NATO-ja Shqipërisë, ai iu përgjigj si më poshtë: "Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t‘i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i aleancës më perëndimore", përfundoi Merkel citatin e Berishës, i cili është pritur me duartrokitje nga deputetët e fraksionit të saj. Merkel theksoi më tej se samiti i NATO-s do të hedhë piketat e para për një koncept të ri strategjik.