Vdes gruaja 54 vjeç, familja dyshon tek mjeku
Berat, Mahmude Myrteli ka vdekur rrugës për në spital pasi ka nisur kurën e propozuar nga mjeku i poliklinikës
BERAT- Një nënë e tre fëmijëve ka gjetur vdekjen mëngjesin e djeshëm teksa po transportohej për në spitalin e Beratit. Gruaja ankohej prej ditësh për dhimbje koke dhe ditën e hënë ka shkuar për tu vizituar në poliklinikën e qytetit të Beratit.
Mahmude Myrteli ka udhëtuar nga fshati Moravë dhe pasi është vizituar nga mjeku M.V ka marrë recetën dhe ka nisur kurën.
Viktima ka marrë dhe konsumuar ilaçet e dhëna nga mjeku ndaj dhe meraku i familjarëve është dyshimi tek kura, që sipas tyre mund të ketë qenë ose tjetër për tjetër ose me doza më të forta. Bashkëshorti i së ndjerës, Ilmi Myrteli, është shprehur se i vetmi dyshim për vdekjen e së shoqes janë ilaçet, pasi vdekja ka ndodhur disa orë pasi ajo ka konsumuar tabletën e dhënë nga mjeku.
Për bashkëshortin e së ndjerës vdekja nuk ka qenë natyrale. Pas reagimit të familjarëve, për këtë ngjarje ka reaguar edhe Drejtori i Spitalit Rajonal të Beratit, mjeku Shkëlqim Hysa, i cili ka deklaruar se pacientja ka ardhur në spital pa shenja jete dhe se çdo akuzë apo dyshim për fajësi të mjekut është absurde. Hysa tha se ngjarja ka qenë natyrale dhe gjithçka do të vërtetohet pas ekspertizës mjeko - ligjore.
Pavarësisht fajësimeve apo shfajësimeve të rastit, zbardhja e shkaqeve të vërteta do të përcaktohet pas autopsisë dhe ekspertizës nga ekspertët përkatës. Vetë mjeku nuk është shprehur për ngjarjen, për faktin se ai për momentin nuk ndodhet në Berat, por jashtë qytetit për probleme të tij familjare.