E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend i heq imunitetin Prifti letër Topallit: Jam i hapur të hetohem

TIRANE- Prokurorisë i hapet rruga per hetimin e deputetit Dritan Prifti per video-pergjimin.

Me 119 vota pro dhe 3 kundër, deputetët në seancën e sotme parlamentare votuan për heqjen e imunitetit të Priftit. Vetë deputeti Prifti nuk ishte prezent në seancë dhe ishte grupi parlamentar i LSI-së që kërkoi të vazhdohej me procedurën për heqjen e imunitetit. Kryetarja Topalli përforcoi kërkesën duke deklaruar se vetë Prifti në Këshillin e Mandateve u shpreh që ishte gati të hetohej dhe të hiqte dore nga imuniteti i tij si deputet.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës akuzohet për korrupsion pasi ekspertët amerikanë të hetimit arritën të identifikonin pjesë të tjera filmike në videon origjinale të bisedës me Metën, që Prifti dorëzoi në prokurori.

Sipas ekspertëve videoja që ishte fshirë, ishte regjistruar më 11. 3. 2011 ku ku flitet për përfitime të parregullta, ku ndër të tjera është filmuar ndarja e një shume parash prej 70 mijë eurosh mes ish ministrit të Energjetikës dhe zv ministrit të tij, Leonard Beqiri.

Prokuroria shqiptare kërkoi me 11 shkurt 2011 heqjen e imunitetit jo vetëm të Ilir Metës, por edhe ish ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, për të qartësuar pozicionin në lidhje me këtë video të dytë, sipas të cilës edhe Prifti, është i përfshirë në një aferë përfitimesh në zyrat e shtetit.
Nga ana e tij Prifti në mbledhjen e këshillit për rregulloren e imunitetin, më 15 shkurt tha se, videoja e regjistruar nga ai nuk përbën precedent penal.

Sipas Priftit videoja është një tjetër fakt që provon presionet, tensionet, joshjet për korrupsion, apo korrupsionin e Ilir Metës.

LETRA E PRIFTIT
Në një letër dërguar kryetares së Parlamentit, deputeti Prifti informon se ka vendosur me vullnetin e tij për të mos marë pjesë në seancë pasi nuk do që pavarësisht nga marrëdhëniet personale apo politike që ka me  kolegët deputetë, ata  të ndikohen në votim. Gjithashtu ai u kërkon deputetëve të votojnë pro dhënies së autorizimit të prokurorisë.
"Meqe Prokuroria ka dyshime se ne këtë video mund të ketë veprime të parregullta dhe kundraligjshme, unë ju kerkoj ti hapim rrugë këtij hetimi sa më shpejt. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë deri në zbardhjen e plotë dhe eleminimim e cdo dyshimi të tyre mbi videon. Ju lutem njoftoni kolegët deputetë, që është vullneti im të mos jem prezent ne seance, dhe që seanca duhet të procedojë në plotësimin e kërkeses se Prokurorise edhe pa mua"-shkruhet në letrën që Prifti i ka dërguar kryetares së Parlamentit dhe përmbajtjen e lsë cilës Prifti e ka shpërndarë me email në redaksitë e mediave.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›