E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, shqyrtohen sot Kodi Ajror dhe Energjia

TIRANE-Pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Ajror në Komisionin e veprimtarive prodhuese, pritet që ky Kod të kalojë sot edhe në seancën plenare të Kuvendit. Në seancën e sotme plenare pritet që opozita të votojë pro këtij kodi i cili u miratua në komisionin me konsensus nga të dyja palët.

Në rendin e ditës, Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjet “Për sektorin e energjisë elektrike”; “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”.
Projektligji për disa ndryshime në “Për sektorin e Energjisë Elektrike, të ndryshuar” pritet të shoqërohet me debate në sallën e Kuvendit, pasi deputetët e majtë kanë kërkuar që në lidhje me ndryshimet në ligj të dëgjohen edhe grupet e interesit, por kjo kërkesë është hedhur poshtë mga mazhoranca.

Ndërkohë gjatë seancës së sotme janë thirrur në interpelancë, përkatësisht ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto nga deputetja socialiste Arta Dade dhe ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili është thirrur në interpelancë nga deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›