E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, shtyhet sërish pakti i ujërave Shqipëri-Greqi

Marrëveshja e kufijve detarë Shqipëri-Greqi nuk përfshihet në kalendarin e punimeve tre javore të Kuvendit. Shtyhet sërish ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pas datës 12 nëntor. Duket se është dëgjuar në këtë mënyrë thirrja e opozitës dhe disa shoqatave që kundërshtonin këtë nismë të qeverisë. Konferenca e Kryetarëve nuk e ka përfshirë marrëveshjen në kalendarin e punimeve të 22 tetorit-12 nëntorit, duke lënë në këtë mënyrë tre javë kohë në dispozicion të ekspertëve për të shqyrtuar dhe rikontrolluar paktin që përcakton kufijtë detarë Shqipëri-Greqi. Kjo çështje do të ngelet në dorë të ekspertëve për të sheshuar konfliktin e ngritur mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

Pak minuta përpara fillimit të seancës, lëvizja politike G99 ka protestuar jashtë Kuvendit, duke kundërshtuar marrëveshjen Greqi-Shqipëri. Konferenca e Kryetarëve është mbledhur pak minuta përpara zhvillimit të seancës parlamentare, duke lënë jashtë rendit të ditës çështjen më të debatuar kohët e fundit, e cila edhe në qarqet mediatike ka zënë hapësirë të krahasueshme me bojkotin e opozitës. Me parullat "Toka e Shqipërisë, jo pronë e qeverisë", Partia G99 ka protestuar përpara Parlamentit kundër marrëveshjes së ujërave. Tubimit iu bashkuan organizata të ndryshme dhe qytetarë të Tiranës. Duke mbajtur fjalën hapëse, kryetari i G99, Erjon Veliaj kërkoi që të mos falen kufijtë. Ai tha se të qenurit patriot nuk është jashtë mode, ndërsa sulmoi dyshen Berisha-Meta për mungesën e transparencës për marrëveshjen.

"E rëndësishme është të jemi mirë me veten tonë një herë pastaj të jemi mirë me fqinjët tanë dhe me të gjithë ndërkombëtarët e tjerë. Unë nuk besoj që ka dalë jashtë mode të jesh shqiptar, nuk besoj që ka dalë jashtë mode të jesh patriot, nuk besoj që ka dalë jashtë mode të duash veten tënde dhe fqinjët e tu. Ky është vetëm një fillim për të treguar që të qenit shqiptar dhe të qenit i interesuar për mirëqenien e vendit tënd nuk është diçka që ka dalë jashtë mode", theksoi Veliaj. Ndërsa e konsideroi vendimin për shtyrjen e ratifikimit të marrëveshjes si shtyrje të tradhtisë për një moment tjetër, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin ndaj padrejtësisë së "faljes së kufijve". "Ajo që kemi marrë vesh nga qeveria është që kjo marrëveshje do të shtyhet për një moment tjetër, është si të thuash që ne do ta shtyjmë këtë tradhti për një moment më të vonë që gjithsesi do të ndodhë", tha kreu i G99.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›