Kuvend, sot 21 projektligje në rend të ditës
Seanca e sotme parlamentare pritet të jetë e fundit për këtë legjislaturë. Priten debate
TIRANË- Seanca e fundit parlamentare pritet të jetë një seancë maratone me orë të zgjatura, pasi Kuvendi ka përcaktuar plot 21 projektligje për të kaluar. Krahas saj, në seancën e sotme parlamentare pritet që të ketë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.
Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, paralajmëroi dje se opozita do të bëjë bilancin e punës katërvjeçare, duke kundërshtuar edhe marrëveshjet e kredisë të kërkuara nga qeveria për të financuar projektet e saj.
Sipas kalendarit të punimeve, në rend të ditës do të jenë 7 kredi, si ajo për financimin e projekteve të rrugëve dytësore, shërbimet sociale, zhvillimin e zonave rurale malore, rrugën Durrës-Kukës dhe garantimin e projektit të privatizimit të OSSH-së.
Deputetët kanë lënë për mbledhjen e tyre të fundit miratimin e draftit të fundit të reformës në drejtësi, Gjykatës Administrative, projektligj i cili për 7 muaj radhazi u zvarrit në komisionin parlamentar të ligjeve, si rezultat i mungesës së konsensusit të vazhdueshëm mes pozitës dhe deputetëve të mazhorancës.
Në këtë seancë do të votohen gjithashtu projektligjet për tregtinë elektronike, gjendjen civile, taksat kombëtare, lejet dhe licencat, rishikimin e titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore dhe financimin e bashkësive fetare.