E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Topit: Drejtësi e pavarur nga politika dhe klanet ekonomike

Presidenti i Republikës përcjell mesazhe në Ditën e Drejtësisë. Mungon ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj


TIRANË- Në Ditën e Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bën sërish apel për një drejtësi të pavarur jo vetëm nga politika, por edhe klanet ekonomike.


Në 96-vjetorin e kësaj dite, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku ishin ftuar personalitete të shquara të fushës së drejtësisë shqiptare.


Megjithatë, edhe pse një ditë e rëndësishme për drejtësinë, ra në sy mungesa e ministrit të Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj.


"Pavarësi nga politika, pavarësi nga klanet e caktuara ekonomike, por, nga ana tjetër, duhet të shikohet edhe si një pavarësi që varet totalisht nga individi, që punon në sistemin e drejtësisë. Sistemi që po ndërtojmë çdo ditë rrit pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.


Kjo falë edhe asistencës së misioneve ndërkombëtare, miq të Shqipërisë, që bëjnë asistencën dhe japin eksperiencë mjaft të vyer. Binomi i pavarësisë do të realizohej në momentin kur çdo prokuror edhe gjykatës do të ndjehet i pavarur në integritetin e tij. Sigurisht, njerëzit e thjeshtë kërkojnë drejtësi, sepse ata që kanë mundësi e ndjekin në rrugë të tjera",- tha dje Topi.


Pikërisht për këtë arsye, në "Ditën e Drejtësisë", në cilësinë e Presidentit të Republikës, edhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi bëri thirrje që punonjësit e drejtësisë të jenë të pavarur dhe ta japin drejtësinë njësoj për të gjithë!


"Ky është mesazh më fisnik në Ditën e Drejtësisë, sepse përpara institucioneve të drejtësisë, të gjithë duhet të jenë të barabartë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të ndërgjegjshëm përpara së vërtetës.


Edhe një herë do të falënderoja dhe do të inkurajoja të gjithë punonjësit e drejtësisë, që të vazhdojnë dhe të punojnë me përkushtim, të vazhdojnë me seriozitet dhe të mos vlerësojnë vetëm momentin, kur emërohen për një pozicion të caktuar.


Nuk mungojnë rastet kur në çastet e emërimit janë shumë të predispozuar, ndërsa në momentet kur ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sigurisht që nxjerrin mangësi. Pra, para se të demonstrojë standarde të tjera, duhet të demonstrojë standardin e karakterit.


Kështu që përballoni me karakter të fortë dhe disiplinë të gjitha sfidat që ka sistemi i drejtësisë! Përkushtojuni çështjeve të rëndësishme, parimore dhe largojuni sa më shumë çështjeve sekondare, që kanë të bëjnë me pazare të vogla, që ne i ndeshim sot tek-tuk në sistemin e drejtësisë!", - tha Topi.


Presidenti i Republikës theksoi se sot synohet që të ketë një drejtësi të standardeve evropiane. Kreu i shtetit shtoi se në fushën e drejtësisë ka pasur progres, pasi kjo shikohet edhe tek sondazhet e opinionit publik. "Nuk dëshiroj që të personalizohet, por dëshiroj ta konsideroj këtë një kontribut të të gjithëve, kontribut të të gjitha institucioneve të shtetit, për të dhënë një produkt, që është fytyra e shtetit, që është drejtësia",- tha ai

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›