E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Fitorja e së majtës, fitore mbi keqqeverisjen

Partia Demokracia Sociale konfirmoi dje bashkëpunimin me koalicionin që do të formojnë socialistët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit. Kongresi i kësaj force, që i mbajti punimet dje, ka rikonfirmuar vullnetin e shprehur që më parë nga drejtuesit më të lartë të kësaj force politike, për të qenë në një front zgjedhor me socialistët.


Kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, duke prezantuar piketat kryesore të synimeve të kësaj force, ka lëshuar kritika të forta kundrejt kreut të ekzekutivit, Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një rrezik për procesin e ardhshëm zgjedhor në veçanti, dhe për demokracinë në Shqipëri në përgjithësi.


"Kryeministrit në detyrë i punon me kapacitetin e jashtëzakonshëm, instrumenti që prodhon energji negative, për të gjetur modele dhe formula që synon t'u vjedhë përsëri shqiptarëve vullnetin e tyre politik dhe të mashtrojë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare.


Duke ngritur me forcë këtë shqetësim ne nuk mbjellim fatalitet, por paralajmërojmë sa nuk është vonë, nisur dhe nga filozofia që buron nga proverbi: "Ujku qimen e ndërron, po zakonin nuk e harron". Berisha në pushtet është i zoti të bëjë çdo gjë për të mbrojtur pushtetin dhe të manipulojë zgjedhjet. Ne kemi 1001 arsye për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe do t'i fitojmë ato.


Aleanca jonë duhet të fitojë zgjedhjet që modeli i keqqeverisjes të zëvendësohet me mirëqeverisje", - tha Paskal Milo. Kongresin e Demokracisë Sociale e përshëndeti edhe kreu socialist, Edi Rama, i cili ka ftuar edhe një herë gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e rrugës së re për ndryshim.


"Na mbetet të zgjedhim: ose një rrugë e re që na ndan nga politika e vjetër e së shkuarës, ose edhe 4 vjet të tjera si këto, të cilat po mbyllen me një gropë të zezë në arkën e shtetit, e me një krizë ekonomike që po mbërthen çdo sipërmarrje e familje shqiptare, me një sistem arsimor të degraduar skajshëm e me një sistem shëndetësor të falimentuar. Shkurt, me të njëjtat probleme të vjetra të 18 vjetëve, që janë rënduar edhe më keq, në vend se të zgjidhen", - tha kryesocialisti.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›