Këshilli Bashkiak dhe banorët, protestë për tokat
Golem, 150 banorë kundërshtojnë vendimin për shpronësimin e tyre me vlera minimale nga ministria e Transporteve
KAVAJË- Këshilli i komunës së Golemit i është bashkangjitur peticionit të bërë nga banorët e fshatit Kryemëdhenj për çmimin e tokës me të cilin do të kompensohen familjet. Kërkesa e 150 banorëve konsiston në vlerësimin real të tokës që po shfrytëzohet për zgjerimin e superstradës Durrës-Rrogozhinë.
Sipas të dhënave zyrtare dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave vlera e sipërfaqes së tokës në zonat turistike është 0 - 500 m nga vija e ujit të detit, çmimi është 16 655 lekë/m2; 500 - 800 m nga vija e detit, çmimi është 12 947 lekë/m2 dhe mbi 800 m nga vija e detit, çmimi është 9 292 lekë/m2. Këto vlera përputhen edhe me çmimin aktual të tregut në zonën e plazhit të Golemit.
Por në të njëjtën kohë, bien ndesh me vlerën e përcaktuar nga përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Sektori i Shpronësimeve, të cilët iu kanë komunikuar banorëve se do të shpronësohen me një vlerë shumë minimale dhe të papranueshme nga banorët, që është shuma 3.5 milionë lekë të vjetra dynymi ose 3 500 lekë/m2.
Kjo vlerë qesharake, siç e quajnë banorët, është bërë shkak për fillimin e disa protestave paqësore që gjeneruan më pas me bllokimin e rrugës kryesore për disa minuta.
Duke u nisur nga largësia që kanë pronat e banorëve të fshatit Kryemëdhenj me vijën e ujit të detit, pjesa më e madhe i takojnë nivelit të shpronësimit me vlerën 9 292 lekë/m2 dhe një numër më i vogël familjesh përfiton nga çmimi 12 947 lekë/m2, pasi tokat e tyre janë pranë vijës bregdetare.
Peticionit të 150 familjeve i është shtuar edhe një pikë tjetër që ka të bëjë me rrugët paralele që janë kërkuar nga komuna Golem. Nga ana tjetër, komuna Golem dhe këshilli i saj janë treguar të vendosur në kërkesat drejtuar kryeministrit Berisha, ministrit Olldashi dhe nënprefektit të Kavajës, Bardhyl Rexha.