E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, në mesjavë mbërrijnë drejtuesit e OSBE-së

Presidenti i Asamblesë Parlamentare i OSBE-së dhe 4 drejtues të tjerë, do të zhvillojnë takime të nivelit të lartë për kartat


TIRANË- Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë vlerësuar nga ndërkombëtarët si një test thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë.


Për këtë arsye, vëmendja e partnerëve tanë ndërkombëtarë që na asistojnë në këtë rrugë, pritet të jetë tek mbarëvajtja e procesit zgjedhor, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe para saj.


Në këtë kuadër, pritet që në mesjavë të mbërrijë në Tiranë një mision faktmbledhës për situatën parazgjedhore në Shqipëri, i cili do të kryesohet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares.


Vizita


Të enjten mbërrin në kryeqytet një delegacion i lartë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), në përbërje të të cilit, përveç Presidentit të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, Joao Soares, do të jenë dhe 4 drejtues të tjerë të lartë të saj.


Delegacioni do të qëndrojë dy ditë, ku do të zhvillojë takime me gjithë klasën politike shqiptare. Qëllimi i vizitës, siç bëhet e ditur nga burime pranë kësaj organizate, do të jetë informimi mbi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe progresi i bërë nga reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve.


E, natyrisht, kur bëhet fjalë për situatën politike më të fundit në vend, kuptohet se në qendër të vëmendjes së këtij delegacioni do të jenë përgatitjet rreth krijimit të infrastrukturës së duhur zgjedhore, si dhe mundësia që do t'u krijohet shqiptarëve për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.


Të njëjtat burime kanë konfirmuar se zyrtarët e lartë të OSBE-së, nisur edhe nga klima politike në vend dhe shqetësimet e opozitës lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, pritet të shprehin interes të veçantë dhe do të kërkojnë informacione të detajuara nga qeveria për ecurinë e deri tanishme të tij.


Takimet


Në vizitën dyditore, delegacioni i lartë i OSBE-së do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe partisë më të madhe të opozitës, ashtu edhe me të gjithë krerët e partive të vogla. Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Tiranë, ata kanë përcaktuar në agjendën e tyre takime me drejtuesit më të lartë të shtetit, si Presidentin e Republikës Bamir Topi, Kryeministrin, Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Natyrisht, këto takime do të shërbejnë për të marrë një informacion zyrtar lidhur me përgatitjet zgjedhore, por edhe për të dëgjuar përshkrimin e qeveritarëve për ecurinë e reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve. Ndërkohë që një takim i veçantë i është kushtuar edhe kreut të opozitës, Edi Rama, për të dëgjuar prej tij pretendimet e opozitës mbi përgatitjet zgjedhore dhe klimën politike në vend.


Pas takimeve me zyrtarët e lartë të shtetit dhe të opozitës, delegacioni i kryesuar nga z. Soares, do të zhvillojë një takim të përbashkët me kryetarët e partive të vogla, për të dëgjuar edhe prej tyre pretendimet mbi situatën politike dhe shanset që u janë krijuar atyre për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.


Ndërkohë që përveç këtij delegacioni, në Shqipëri kanë mbërritur tashmë dhe vëzhguesit e parë të misionit të ODIHR-it, skuadra kryesore e së cilës përbëhet nga 14 persona nga 10 shtete të ndryshme, ndërsa 26 vëzhgues të tjerë afatgjatë pritet të mbërrijnë në fund të kësaj jave.


Ato do të instruktohen dhe do të dislokohen nëpër rrethe gjatë fundjavës së ardhshme. "Ne kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të mbërrijnë pak ditë përpara ditës së zgjedhjeve.


Duhet theksuar edhe një herë fort, se roli ynë është të vëzhgojnë dhe të raportojmë dhe jo të ndërhyjmë në procesin zgjedhor, ne nuk jemi policia e zgjedhjeve", - deklaroi ambasadorja, Audrey Glover, gjatë një konference që mbajti pak ditë më parë. Vëzhguesit, në ditën e zgjedhjeve, do të ndahen në mënyrë të barabartë, duke mos u fokusuar si në herët e tjera, në zonat e ashtuquajtura të nxehta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›