E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Mandati i dytë, mandati i heqjes së vizave

Kryetarja e Kuvendit vijon turin nëpër Shqipëri, me moton "Shqipëria po ndryshon"


TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar nga qyteti i Shkodrës se, në rast fitoreje të PD-së, mandati i dytë qeverisës do të jetë mandati i investimeve të mëdha. Duke folur për një Shkodër të ndryshuar, Topalli shkoi tej premtimeve, duke veçuar se brenda një harku kohor të shkurtër, qytetarët do të mund të lëvizin pa viza në Europë.


"Jam optimiste që në mandatin e dytë, më 28 qershor, me një fitore të Partisë Demokratike, do të ketë projekte të tjera të mëdha zhvillimi. Kemi për të bërë që qyteti i Shkodrës, Qarku i Shkodrës, të jetë më i bukur, të jetë më modern. Ne do të investojmë më shumë nga ç'kemi investuar.


Mandati i dytë do të jetë mandati i liberalizimit të vizave, mandati i dytë do të jetë mandati i zhvillimeve, i projekteve dhe i investimeve të mëdha. Investime të mëdha do të vijnë në Shkodër",- tha Topalli. Ajo shtoi se, "diferenca kryesore është motivi që ne na çon para, në çdo përpjekje, në çdo reformë, në çdo ndërmarrje.


Kjo është sepse ne e duam këtë vend, unë e dua Shkodrën, unë e dua Shqipërinë, sepse ju e doni Shkodrën, Shqipërinë, Tiranën, Durrësin, Korçën. Çdo gjë e bëjmë duke parë këtë yll polar përpara. Cili është motivi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Ka vetëm një motiv: ryshfetet. Ka vetëm një motiv: korrupsionin".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›