E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend,Berisha: S’ka hetim pa fakte, Ruci: Po fshihni maskaradën

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë nisi rreth orës 19:00 seancën e fundit për vitin 2010, me qëllim negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të kaluara. Seanca e sotme vjen si vazhdim i debatit në kuvend nga dita e premte po për të njëjtën cështje. Mësohet se palët kanë diskutuar tre variante, por që të tre variantet kanë ngecur vetëm në një pikë; përfshirjen në projekt/vendimin e Parlamentit të pikës së kërkuar nga demokratët, për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. 

Berisha: Zgjedhjet e 2011-ës, të lira e të ndershme
Ora: 22:00- Kryeministri Sali Berisha theksoi se zgjedhjet lokale të 2011-ës do të zhvillohen dhe ato do të jenë të lira dhe të ndershme.
Duke reaguar ndaj deklaratave të deputetëve socialistë se "po përpiqet të manipulojë proceset e ardhshme elektorale", Berisha u shpreh se "zgjedhjet do të bëhen dhe garantoj shqiptarët se do të jenë të lira dhe të ndershme".
“Nëse ju doni të merrni pjesë jeni të mirëseardhur, doni të bojkotoni, bojkotoni. Keni vërejtje për kodin zgjedhor, sillni amendamentet. Në të kundër vazhdoni programin sipas kërkesave të kryetarit tuaj”, tha Berisha duke iu drejtuar deputetëve socialistë.

Majko: Sot të heqim maskat
Ora 21:45- Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko i ka kërkuar kryeministrit Berisha një qëndrim përfundimtar të PD për ngritjen e komisionit hetimor, duke iu kërkuar atyre të heqin maskat dhe të mos ndryshojnë qendrimet sa herë iu leverdis.
“Kë duhet të besojmë.Patozi në dokumentin që paraqiti tha që shumica i takon opozitës. Por firma e Patozit u zëvendësua se kështu ishte ligji na thua ti, po cpo bëjmë këtu film po bëjmë?”
Majko u shpreh se Berisha gjithcka e rrotullon tek vetëlavdërimi për vizat por sipas tij “Berisha nuk ka marrë vizat për të qëndruar në pushtet”. Ndër të tjera Majko tha se, “ju premtuat përpara ndërkombëtarëve që fletët nuk do të digjen tani thoni që do digjen, pasi KQZ mblidhet në 29 dhjetor për t’i djegur”.

Ruci: Berisha fsheh maskaradën elektorale
Ora 20:30- Kreu i grupit të PS Gramoz Ruci iu kundërpërgjigj kryeministrit Berisha në sallën e kuvendit për heqjen dorë nga kërkesa e hapjes së kutive. Edhe pse Berisha ngul këmbë se ky lëshim u bë nga PS, kur pa se nuk mund të pengonte më lëvizjen e lirë të shqiptarëve, Ruci mohon gjithcka duke sqaruar se gjithcka u bë për të zgjidhur krizën që zgjat prej 1 vit e gjysmë. 

“Opozita me qëllimin për të zgjidhur krizën ndërmori një hap, hoqi dorë nga kutitë me qëllimin e mirë për të implementuar rekomandimet e KE dhe për të zgjidhur krizën”.
Sipas Rucit, shkak për mosngritjen e komisionit hetimor është frika që ka Berisha se “mos i zbulohet maskarada elektorale e zgjedhjeve të 2009”.
Lëshimet e opozitës sipas Rucit, u bënë “me qëllimin e mirë për të garantuar infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme. Por Berisha nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të bëjë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Ruci.

Duke deklaruar se Berisha nuk e pranon Rezolutën e PE, Ruci tha se shqiptarët u përballën me një tjetër refuzim të kësaj rezolute që ishte “mosngritja e komisionit hetimor”. 

Berisha-opozitës:Hetim sipas ligjeve, mos u tallni me Kushtetutën
Ora: 19:40- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit se prej më shumë se një viti opozita u angazhua në një qëndrim absurd ndaj lirisë së qytetarëve shqiptare. Duke ju referuar grevës së urisë së opozitës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, Kryeministri ritheksoi se qëllimi i kësaj greve ishte humbja e mundësisë së shqiptarëve për të lëvizur të lirë në Europë.

“Rama është i betuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Pasi humbi zgjedhjet ai bëri cdo gjë të hynte në koalicion me Berishën. Nuk kisha asnjë kundërshtim por vendi ka nevojë për një opozitë. Dhe cfarë bëri ai, tha jo nuk njoh rezultatin, nuk njoh parlamentin. Më vonë Rama kërkoi komision hetimor parlamentar, pranova pikë për pikë ato që rezoluta e PE kërkoi. I propozova gjithcka, nuk deshi sepse ai kishte një fiksim patologjik të paimagjinueshëm , vizat e tmerronin, i prishin gjumin, ishin tmerri dhe ferri i tij” u shpreh kreu i qeverisë.

Më pas Berisha akuzoi kryetarin e socialistëve për tentativa të njëpasnjëshme me qëllim bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave.
“Ju futi në grevë, kur merrej vendimi për vizat, në kohën kur KE në datën 14 maj kishte caktuar mbledhjen për të marrë vendimin për vizat. Ai dështoi, por nuk u dorëzua, vazhdoi përpjekjet për të bllokuar procesin” tha Berisha përpara deputetëve. 
Kryeministri konsideron se në propozimin e socialistëve, nga 9 nene, në 8 prej tyre hetimi kërkohej vetëm në bazë të dyshimeve dhe jo fakteve. 

Ndërsa theksoi se maxhoranca është e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve me kusht që në projekt/vendimin e Parlamentit të përfshihet pika e kërkuar nga demokratët për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, cka do të cojë komisionin hetimor të marrë materialet zgjedhore në Arkivën e Shtetit dhe jo në KQZ, sic kërkon PS, kryeministri Berisha tha se hetim pa fakte nuk do të ketë kurrë.

“Doni komision hetimor parlamentar, jam plotësisht dakord, kërkoni hetim pa fakte kjo nuk do të ndodhë kurrë. Doni numërim, të numërojme cdo gjë sipas ligjit, dhe do të dalë si Shkodra, madhështore. Komisioni hetimor nuk është komision kontrollor
Mos u tallni me Kushtetutën. Maxhoranca është gati për cdo komision në përputhje me ligjet.” u shpreh Berisha. 

Ashtu si në seancën plenare maratonë të 23 dhjetorit, ku u diskutua ngritja e komisionit hetimor, Kryeministri Berisha u shpreh se për të pranuar propozimin e opozitës në tre pikat kyçe të këtij komisioni, siç ajo i ka kërkuar, duhet të të shtohet dhe një pikë e katërt, ajo e respektimit të kodit zgjedhor dhe Kushtetutës.

“Mos u tërhiqni nga rinumërimi, nga hapja e kutive të votimit, por gjithçka brenda ligjeve të vendit”, theksoi Kryeministri

Xhafa: PD i tha "jo" ngritjes së komisionit hetimor
ORA 19:20- Njëri prej negociatorëve të Partisë Socialiste, deputeti Fatmir Xhafa, mori fjalën i pari në seancën e fundit të Kuvendit për vitin 2011. Xhafa sqaroi pikat ku ngecën negociatat, ndërsa shtoi se ishte PD ajo që i dha fund negociatave.
Sipas tij “PS, hoqi dorë nga fletët e votimit por nuk heq dorë nga kutitë e materialeve zgjedhore”.  Xhafa tha se projekti për ngritjen e komisionit hetimor që poropozoi PS reflekton tërësisht rezolutën e PE, por sipas tij mazhoranca i tha përsëri “jo”. 

“Opozita lëvizi në kërkesat e saj por mazhoranca refuzoi edhe shumicën e opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar”,- çka sipas Xhafës ishte kërkuar edhe nga partnerët europianë.
Xhafa tha ndër të tjera se, drafti i PS parashikon që baza e hetimit janë kutitë e materialeve zgjedhore dhe KQZ të ketë detyrimin t'i veje në dispozicion të komisionit me funskion hetimi, por negociatat ne këtë pikë nuk patën sukses. "Projekti reflekton fare mire atë për të cilën është negociuar dhe që palët kanë rënë dakord", deklaroi Xhafa.

Nis seanca e fundit e Kuvendit për 2010-tën
Ora 19:00- Kuvendi i Shqipërisë nisi rreth orës 19:00 seancën e fundit për vitin 2010, me qëllim negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të kaluara.
Seanca e sotme vjen si vazhdim i debatit në kuvend nga dita e premte po për të njëjtën cështje. Mësohet se palët kanë diskutuar tre variante, por që të tre variantet kanë ngecur vetëm në një pikë; përfshirjen në projekt/vendimin e Parlamentit të pikës së kërkuar nga demokratët, për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Nëse kjo ndodh, së pari komisioni hetimor parlamentar do t’i marrë materialet zgjedhore në Arkivën e Shtetit dhe jo në KQZ, sic kërkon Partia Socialiste.

Komisioni hetimor dështon raundi i 3-të i negociatave PD-PS
Ora: 16:55- Dështon një raund tjetër negociatash mes PS dhe PD për arritjen e një kompromisi për hetimin e zgjedhjeve të qershorit të 2009. Deputetët e PS negociatorë për arritjen e një kompromisi Fatmir Xhafa dhe Damian Gjinkuri janë takuar gjatë ditës së sotme me negociatorët e PD Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi por edhe ky takim nuk ka sjellë asnjë rezultat në pikën ku kanë ngecur negociatat për mënyrën se si duhet të procedohet me materialet e kutive të votimit.

Kësisoj të dy palët vijnë në seancën e fundit kuvendore për këtë vit pa asnjë kompromis duke ia transferuar krizën politike 2011-ës.

Takimi i zhvilluar sot ishte i treti që nga e enjtja ku një maratonë e gjatë kuvendore nuk solli asnjë kompromis për krizën e mbetur pezull që pas zgjedhjeve të 2009. Lidhur me kutitë e votimit, PS mbështet qendrimin e saj që materialet zgjedhore t’i vihen në dizpozicion komisionit hetimor dhe të mos shkojnë në arkiv ashtu sikundërse e parshikon kodi. Por demokratët nuk lëshojnë pe në këtë pikë. Po gjatë ditës së sotme kreu i selisë rozë Edi Rama mblodhi një grup deputetësh mes tyre edhe negociatorët Fatmir Xhafa dhe Damian Gjiknuri.
(m.a/e.n/BalkanWeb) Lidhje te tjera Grupet PD-PS mbledhje në ambientet e Kuvendit para nisjes së seancës VIDEO: Kuvend,Berisha:PS do kontroll, jo hetim.Ruci: Po fshihni maskaradën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›