Pinari-Delijorgji gjykata shqyrton kërkesën për lirim
TIRANE- Gjykata e Tiranës pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e tre të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci, për lirimin nga qelitë pasi pretendojnë se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Pak ditë më parë gjykata e Apelit e riktheu në shkallë të parë çështjen penale ndaj biznesmenit Delijorgji, ish-kreut të Meicos, Ylli Pinari dhe të akuzuarit Sokol Ngjeci. Treshja gjykuese e kryesuar nga Gerd Hoxha do të marrë në shqyrtim dosjen dhe të numërojë ditët e paraburgimit për tre të arrestuarit dhe nëse kanë përfunduar të urdhërojë lirimin e tyre. Mihal Delijorgji po tenton prej disa kohësh të rifitojë lirinë me argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Dosja e tij dhe dy të akuzuarve të tjerë, Pinari dhe Ngjeci, ka kaluar sa në njërën gjykatë në tjetrën dhe të gjithë kërkesat e tij tyre deri më tani janë rrëzuar nga gjykatat. ndërkaq, dje po në gjykatën e Tiranës u shty procesi ndaj 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, për shkak se mungonte një anëtar i trupës gjykuese. Familjarët e viktimave akuzuan avokatët, se po ndjekin një strategji për lirimin e tre të pandehurve. “Jemi të pafuqishëm për të bërë diçka. Procesi po shkatërrohet dhe po i bie vlera”, - shprehen tyre afërmit e viktimave. Gjyqi ndaj të akuzuarve do të rinisë vitin e ardhshëm 2011 por ka shumë gjasa që deri atëherë të arrestuarit e paraburgimit të kenë rifituar lirinë. Në tragjedinë e Gërdecit nga shpërthimi i një fabrike demontimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)