E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: I gatshëm për zgjidhje konstruktive, por jo për gjykatat



Kryeministri Sali Berisha deklaron se në takimin me kreun e shtetit Bamir Topi, të zhvilluar kësaj here pa praninë e liderit të PS-së, Edi Rama, ka ritheksuar qëndrimin për të qenë i hapur për trajtimin e të gjitha problemeve zgjedhore me opozitën. Berisha pas takimit, doli përpara medias duke shprehur qëndrimin e maxhorancës për diskutimin e problemeve bilaterale. Ashtu si dhe në takimin e katër ditëve me parë, Berisha shoqërohej nga nënkryetari i PD-së dhe kreu i grupit parlamentar të maxhorancës, Astrit Patozi. “Ishte një diskutim me Presidentin e Republikës, ne sërish riafirmuam qëndrimin tonë të vendosur që të mbetemi të hapur për dialogun, të mbetemi të hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve të lidhura me procesin zgjedhor, të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergimeve midis palëve”, tha kryeministri. I pyetur nga media për qëndrimin e PS-së për komisionin hetimor, kryeministri u shpreh se i qëndron deklarimeve të tij të mëparshme të shprehur të shtunën e kaluar. “Tani, unë i kam shprehur në një deklaratë timen dhe që afirmojnë edhe njëherë vullnetin për dialog dhe jo vetëm dialog, por edhe gatishmërinë për një zgjidhje me frymë konstruktive të të gjitha problemeve bilaterale”, theksoi kreu i PD-së, njëherazi dhe Kryeministër i vendit. Berisha pas takimit të së shtunës në Presidencë, i zhvilluar i përbashkët me liderin e PS-së, u shpreh se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave të vendit. “Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet e gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit”, theksoi më tej Berisha. Sipas tij, me përjashtim të kësaj çështje, maxhoranca do të jetë e angazhuar të plotësojë të gjitha kushtet e opozitës. Për të gjitha problemet zgjedhore, Kryeministri në deklaratën e 13 shkurtit theksoi se është i gatshëm të diskutojë me PS-në. “Koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe maxhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes maxhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›