E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat te Topi, pa rezultat



ADI SHKEMBI

Raundi i dytë i negociatave të ndërmjetësuara nga Presidenti, Bamir Topi nuk ka prodhuar asnjë rezultat për zgjidhjen e krizës. Megjithëse kreu i shtetit këtë herë i takoi veç e veç, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, sërish palët qëndruan në pozicionet e tyre aktuale.
Bisedimet
Presidenti Topi priti dje në mëngjes ambasadorët e Lohan e Montobio, më pas kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, dhe në orën 14:30 në selinë e Presidencës hyri Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Në takimin prej 90- minutash, që kreu i shtetit pati me kryetarin e opozitës, ky i fundit qëndroi në të njëjtin pozicion për të hapur kutitë e votimit. Sipas Ramës, hapja e kutive është çështje e vullnetit politik, nuk shkel në asnjë moment Kushtetutën dhe nuk bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për objektin e punës së komisioneve hetimore. Por burime pranë këtij takimi bënë të ditur për gazetën “Panorama” se gjatë bisedës, këshilltari ligjor i kreut të shtetit, Spiro Peçi, ish-ministër i Drejtësisë propozoi ngritjen e një Këshilli Konstitucionalistësh pranë Presidentit, të cilët të shprehen nëse është kërkesë ligjore hapja e kutive ose jo. Sipas Peçit juristët e njohur do të punojnë pranë kreut të shtetit dhe do të japin një vlerësim të saktë mbi kërkesat që ka paraqitur Partia Socialiste. Por kushti i këtij propozimi kishte të bënte me faktin që opozita të pranojë përfundimin e konstitucionalistëve, cilido që të jetë ai. Nga ana tjetër, kreu i PS-së, Edi Rama e ka refuzuar këtë variant të hedhur në tryezën e bisedimeve nga këshilltari i Presidentit. Sipas tij “hapja e kutive të votimit nuk është një çështje konstitucionalistësh, por çështje e vullnetit politik. Ne jemi të bindur që me hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit nuk shkelet Kushtetuta dhe nuk bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Pas takimeve me përfaqësuesit e selisë rozë, Presidenti Topi ka pritur për rreth 40 minuta Kryeministrin Berisha dhe nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur për gazetën se kreu i shtetit ka kërkuar gjetjen e një zgjidhje politike. Ndërsa Kryeministri Berisha mësohet të jetë shprehur sërish se është i gatshëm të bëjë çdo lëshim që është në dorë të maxhorancës, në mënyrë që opozita të futet në Parlament. Në të njëjtën linjë, si dy ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i Qeverisë është shprehur i gatshëm të ngrejë një komision hetimor ku opozita të ketë shumicën si dhe të votojë të gjitha amendamentet e paraqitura prej saj. Por sipas Berishës, e vetmja gjë që ai nuk do të diskutojë në asnjë tryezë politike është hapja e kutive të votimit. “Ajo është një çështje mes Partisë Socialiste dhe gjykatave dhe unë nuk mund të diskutoj dhe të negocioj për të”, mësohet të ketë thënë Kryeministri Berisha gjatë këtij takimi. Më herët, në orën 10:00, Presidenti Topi ka pritur Ambasadorin e Komisionit Evropian, Helmuth Lohan dhe Ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në këtë takim, kreu i shtetit shoqërohej nga këshilltari diplomatik, Arben Cici. Ambasadorët e akredituar në Tiranë kërkuan sërish një zgjidhje të shpejtë të krizës nga institucionet shqiptare. Por pavarësisht kërkesës së tyre, duket se deri në fundjavë nuk do të ketë asnjë sinjal të ri, nisur edhe nga qëndrimi diametralisht i kundërt i dy palëve, PD e PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›