E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, 8 kode pezull nga PS

 

BLEDAR HOTI

Tetë nisma të qeverisë për ndryshimin e Kodeve të ndryshime presin prej më se dy vitesh në sirtarin e Kuvendit, për t’u votuar. Shkak i mos votimit të tyre është bërë mungesa e opozitës në Parlament. Maxhoranca ka renditur në kalendarin e punimeve ka si afat që deri më 16 nëntor të votohet disa prej ligjeve që votohen në Kuvend me një shumicë të cilësuar votash me 84 vota. Kodet Civile, Penale, Ajrore, Rrugore, Detare, Hekurudhore presin që të votohen nga Kuvendi dhe që janë paraqitur nga ana e qeverisë prej më se një viti. Në programin e punimeve parlamentare për t’u shqyrtuar janë edhe projektligji “Për krijimin e gjykatës administrative”, si dhe “Për administratën gjyqësore”, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Projektligjet e propozuara për ndryshimin e “Kodit Penal” dhe “Kodit Civil” janë paraqitur nga ana e qeverisë që më 11 maj të vitit 2005, të cilat janë më të hershmet, më pas vijnë kërkesat për amendimet e Kodeve Rrugore, Hekurudhore dhe Detare. Në bazë të nenit 81 të Kushtetutës, pika 2: “Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit: a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta; b) ligji për shtetësinë; c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;ç) ligji për referendumet; d) kodet; dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme; e) ligji për statusin e funksionarëve publikë; ë)ligji për amnistinë;f)ligji për ndarjen administrative të Republikës”. Mbi bazën e këtij përcaktimi, maxhoranca duhet të shpresojë që opozita të jetë e pranishme në Parlament sa më parë në mënyrë që të kalojnë për votim kjo paketë e reformës ligjore, e cila duhet të realizohet me një shumicë të cilësuar votash. Maxhoranca aktuale ka gjithsej 74 vota, por që nuk mjaftojnë për të kryer këto ndryshime, pasi nevojiten 84 vota për t’i miratuar këto Kode. Por duke qenë pjesë e reformës ligjore, si dhe asaj në drejtësi, maxhoranca i ka bërë thirrje opozitës që të jetë e pranishme dhe të japë kontributin e saj. Të tilla janë apelet e maxhorancës, janë drejtuar për çështjen e miratimit të projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, ku krijohet gjykata e posaçme që merret me ankesat e biznesit. Në sesionin parlamentar së kaluar, komisioni parlamentar i Ligjeve mori në konsideratë kërkesat e opozitës në amendimet e saj, por PS-ja nuk ishte e pranishme gjatë diskutimit. Por këto ndryshime nuk u miratuan në seancën për shkak të mungesës së opozitës.

Projektligjet 

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Paraqitur nga KM, më 11.5.2007
 
Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Paraqitur nga KM, më 11.5.2007
 
Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Paraqitur nga KM, më 18.5.2007
 
Projektligj “Për administratën gjyqësore”.
Paraqitur nga KM, më 17.7.2008
 
Projektligj “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”.
Paraqitur nga KM, më 16.10.2008
 
Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”.
Paraqitur nga KM, më 24.4.2009
 
Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Paraqitur nga KM, më 24.4.2009
 
Projektligj “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”.
Paraqitur nga KM, më 24.4.2009
 
Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Paraqitur nga KM, më 24.4.2009
 
Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9257, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”.
Paraqitur nga KM, më 24.4.2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›