Kuvendi Komunal kundër projektligjit për qendrën e Prizrenit

Kuvendi Komunal i Prizrenit, të enjten në një seancë të jashtëzakonshme, aprovoi një deklaratë të përbashkët përmes së cilës i bëhet thirrje Kuvendit të Kosovës të mos miratojë projektligjin për qendrën e Prizrenit.
Seanca u karakterizua nga një debat i ashpër mes këshilltarëve komunalë, të cilët kanë kundërshtuar projektligjin për qendrën e Prizrenit, duke e vlerësuar si diskriminues.
Derisa po debatohej nga këshilltarët komunalë të Prizrenit, aktivistët e Vetëvendosjes kanë protestuar para objektit të Kuvendit Komunal.
Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit dhe në tentim e sipër arrestoi Kushtrim Dakaj, Edi Kabashi dhe Jaser Ymeri.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta rikthejë sërish në votim këtë projektligj në Kuvendin e Kosovës.
Vetëvendosje është kundër rikthimit në votim të projektligjit për qendrën historike të Prizrenit në Kuvendin e Kosovës, pasi që do ta shndërrojë qendrën e qytetit në zonë që i nënshtrohet vullnetit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd.
Në nenin 18.4, ky projektligj i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ekzekutive duke e bërë atë faktor vendimmarrës për çdo aktivitet që do të zhvillohet brenda kësaj zone, ndërsa të gjitha aktivitetet komerciale dhe ndërtimore brenda kësaj zone do t’i nënshtrohen miratimit të Kishës Ortodokse Serbe.
Ky ligj e lejon Kishën Ortodokse Serbe të ushtrojë të drejtën e vetos përballë cilitdo vendimi të përfaqësuesve komunal të Prizrenit, i cili zhvillohet në zonën historike, përfshirë të drejtën e tubimeve publike si dhe aktiviteteve kulturore.
Projektligji për qendrën historike të Prizrenit përfshin 1.377 zona kadastrale në qendrën e Prizrenit dhe 141 zona kadastrale në zonën e Kalasë. Në total brenda kësaj zone ndodhen 104 objekte dhe katër komplekse arkitekturale.
Qendra historike e Prizrenit konsiderohet se përfshin 11 xhami, 5 teqe, 2 kisha ortodokse serbe dhe një shkollë për priftërinj, një katedrale dhe pesë kisha katolike, 13 kroje dhe mullinj, 10 objekte publike, 55 shtëpi banimi, 4 objekte shkollore dhe 4 objekte arkitekturale. Brenda hapësirës ku gjenden këto objekte, nuk mund të zhvillohet asnjë aktivitet, e aq më pak të ndërtohet diçka, nëse paraprakisht nuk merret leja nga Komiteti për trashëgiminë kulturore, i cili, sipas ligjit parashihet të jetë i përbërë nga shtatë anëtarë.