Kuvendi burlesk në seancën e jashtëzakonshme për Egin Cekën
Kuvendi aktual i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të së enjtes në mbrëmje, u bë arenë e një burlesku të zi dhe e një eulogjie të panatyrshme për fjalorin e kryeministrit Sali Berisha, të pakohshme për shkak të kontekstit të afruar zgjedhor, të parakohshme ndaj Egin Cekës, një diplomati ende në fillimet e karrierës dhe tejet të paskohshme sa dhe të pavend ndaj prejardhjes së tij Ceka-Luarasi-Nikolla.
E vë në dijeni lexuesin se diplomati “i fisëm” Egin Ceka aktualisht vijon mandatin e tij në misionin e Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë, pasi ka mbaruar një mandat të plotë të mëparshëm në ambasadën e Republikës së Shqipërisë po në Vjenë. Egin Ceka është i biri i Neritan Cekës, aktualisht ambasador i Republikës së Shqipërisë në Romë, parandej shef i kabinetit të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha.
Ndërsa i përqasuri i Eginit është “i pafismi” Jan Jani, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë, i propozuar nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, i cili dha dorëheqjen para pak ditësh, në shenjë solidariteti me kolegun e tij të larguar me vendimin e Kuvendit.
“Nuk kemi mbajtur ndonjëherë zi politike, por dhjetë herë më erdhi mendja të ngrihesha në këmbë, për një minutë, për vdekje politike për Jani Janin.” Kështu tha, ndër të tjera, Sali Berisha. Për të qenë besnik në sjelljen e saj këtu, thënien e kam marrë drejtpërdrejt në gazetën Rilindja Demokratike, organin zyrtar të Partisë Demokratike.
Kjo thënie bën pjesë në burleskën e luajtur në sallën e Kuvendit, kur kryeministri ia evokoi Eginit të parët dhe të mbramët, shtrirë kohësisht në tre shekujt e fundit. Si drushtë virtuale, pra, shërbeu trungu, degët dhe rremat e lisit të gjakut dhe të tamlit të Eginit.
Nga pikëpamja kompozicionale, ajo paraprihet dhe vijohet në selitë partiake, zyrat shtetërore, studiot mediatike. Munxën lajmdhënëse, në mënyrën sensacionalisht të paralajmëruar, e dha kryehere Edith Harxhi, zëvendësministre e Jashtme, për çudi, pa e larguar asnjë çast nga fytyra buzëqeshjen.
Në mënyrën më engjëllore, ky Egin Ceka, paska marrë pjesë në takimin e zhvilluar nga kryetari i opozitës Edi Rama në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Dlirësisht ia paska bërë të mikpriturit të Akademisë pyetjen e pafajshme se pse nuk paska Rama besim që diplomatë si Ceka nuk i trajtuakan dhe numëruakan pastërtisht votat e diasporës më 23 qershor.
Midis engjëllit të zi, merret vesh kush është, dhe engjëllit të bardhë, edhe ky merret vesh kush është, qenka shpalosur një roman i tërë, i shtjelluar në dramë, krejt si në penën e Truman Kapotit. Miniatura të këtij romani, pra kryeradhë e pjesë të tij, u gogësitën bujshëm në sallën e Kuvendit, për t’u dhënë në perspektiva më të plota e më frymëzuese në mediat qeveritare.
Në asnjë qëndrim zyrtar të Ministrisë së Jashtme apo institucioneve të tjera të regjimit nuk pashë të sqarohet nëse diplomati kishte shkuar privatisht, në kohën e tij të lirë dhe me inciativën e tij vetjake apo kishte shkuar atje me lejen, dijeninë, pëlqimin, rekomandimin apo urdhërin e Ministrisë së Jashtme, më lart se Ministrisë së Jashtme apo thjesht me lejen e ambasadorit, pra titullarit të përfaqësisë sonë pranë OSBE-së në Vjenë.
Këtu, në të vërtetë, zë fill gjithçka. Nëse diplomati lejohet të marrë pjesë në një veprimtari në një vend të huaj, çfarëdo qoftë ajo, edhe një manifestim kulturor apo sportiv le të jetë, atëherë ai përfaqëson dinjitetin e shtetit përkatës dhe kurrsesi nuk mund ta tejkalojë këtë autorizim, kurrsesi, për hir a për hatër të askujt, nuk mund të dalë nga petku i diplomati për të vepruar në petkun e partiakut a çfarëdo petku tjetër. Në qofte se është lehtësisht i tundueshëm, si puna e Eginit, në asnjë mënyrë diplomati nuk lejohet të marrë pjesë në veprimtari delikate si ajo ku në qendër është kryeopozitari, alternativa kryesore për kryeministër të ardhshëm të Shqipërisë.
Versioni i Partisë Socialiste për të njëjtin subjekt është krejt i ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike, Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Sipas këtij versioni, i vetmi fakt që i qëndron së vërtetës është se Edi Rama u prit në Vjenë me nderimet që i bëhen një kryeministri në ardhje.
Në rrethana të tilla, asnjë gjykim objektiv, nuk i merr parasysh dot asnjërën nga versionet. I vetmi version i besueshëm do të ishte ai që do të shërbehej nga Vjena zyrtare.
Romanin e Vjenës e bën më shumëplanësh një kryeqytet i tretë. Nga Roma, ku ndodhet, Neritan Ceka, i cili i ka mbushur plot 72 vjet më 11 shkurt, i ka drejtuar një letër të hapur ‘mikut të vjetër’ Edi Rama. Ia kujtojmë lexuesit se gjininë e letrave të hapura kryeministri e ka shumë zët historikisht, që nga koha e letrave të hapura të Enver Hoxhës.Konvaleshenti plak e firmos letrën e hapur si qytetar shqiptar në Romë. Jo se e ka dhënë dorëheqjen nga posti i ambasadorit, por ngaqë mendon se mund ta zhveshë atë cilësi që ka dhe ta ndërrojë me çfarëdo cilësie t’ia ketë qejfi, kur ai të dojë dhe si ai të dojë. Burleskë të cilën plakut të Romës mund t’ia kishte zili edhe vetë Dita Von Teese.
Neritani bën shumë llogje. Por qëllimi kryesor i letrës është që t’i japë udhë juridike procesit hetimor në drejtimin që ai do. Ai i drejtohet Ramës si qytetar nga Roma, ashtu si Ramës, gjoja, iu drejtua i biri, pra si qytetar nga Vjena. Duket qartë se qytetari nga Roma, me emrin Neritan Ceka, bashkëmendon e bashkëvepron me qytetarin nga Vjena, Egin Ceka. Dhe ua injekton këtë bashkëmendim e bashkëveprim qytetarëve të Tiranës në kreun e Ministrisë së Jashtme apo të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Edhe në qoftë se Egini ka shkuar si qytetar tek Edi, ai ishte i detyruar të respektonte cilësinë e diplomatit. Në qoftë se të njëjtën gjë do t’ia kërkonte ai partnerit në komunikim.
Teksti i Neritanit i publikuar një ditë më vonë në media duket qartë se ka shërbyer si tekst i eulogjisë së kryeministrit për Eginin një ditë më parë. Nuk është e thënë që kryeministri ta ketë përsëritur dot përmendsh.
Hileja e plakut të Romës, nuk përfundon këtu. Në letrën e tij letrareske, të hapur, ai ia bën biografinë të birit, çka ka domethënien se, kur të vijë Rama në pushtet, nuk bën ta largojë Eginin nga detyra, natyrisht, as babain e Eginit, mikun e vjetër të Ramës, me aq shumë kujtime të ëmbla dhe të trëndafilta të së shkuarës.
Ceka plak nuk ka turp t’ia kujtojë Edit Gramo Ruçin, me të cilin, ai, Neritan Ceka, ka bërë kauzë të hapur që nga koha e mocionizmit të tij, sidomos gjatë zhvillimeve të vitit 1997 e post 1997.
Megjithatë hileja e tij kryesore është që ta bëjë fakt të kryer akuzën zyrtare të ngritur ndaj Edi Ramës nga qeveria.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në sallën e Kuvendit, ceku imunitetin e diplomatit Egin Ceka. Kjo e bën absolutisht delikate në tërësinë e tij objektin e një hetimi nga ana e një komisioni hetimor të ngritur nga Kuvendi, tashmë në ikje, i Republikës së Shqipërisë. Ky komision do të pësonte fiaskon më të bujshme, të pakrasueshme me asnjë nga fiaskot e panumërta të komisioneve hetimore të ngritur nga shumica aktuale.
Objekt kryesor i këtij hetimi do të ishte pikësëpari e deri pikësëfundi sistemi i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, gjithë komunikimi i tij lidhur me rastin. Dhe nëse ai ishte shtrirë përtej këtij sistemi, hetimi do të merrte përmasa shumëfish më të ndërlikuara se kaq.
Rrjedhimisht, hetimi do të ishte i mundur në rrethana krejtësisht të tjera nga këto në të cilat ka ndodhur çka ka ndodhur në Vjenë.
Koha e lejon, rrethanat e lejojnë vetëm një gjë: Partia Demokratike dhe regjimi aktual i Tiranës të mësohen dhe të pajtohen për ta gëlltitur sa më natyrshëm faktin se kreu i opozitës mund të ketë vizita apo turné vizitash të natyrës njohëse në kryeqytetet e vendeve mike dhe partnere. Folkloristika si kjo pas takimeve të Vjenës mund të shndërrohen në kapital për kundërshtarin dhe në bumerang për kurdisësin.
Kryeministri përmendi në sallën e Kuvendit paprekshmërinë e diplomatit. Nuk do harruar, pra, për asnjë çast edhe pacënueshmërinë e kryetarit të opozitës. Nuk do harruar se edhe kryetari i opozitës lëviz me pasaportë diplomati. Vetë kryeministri tha se kryetari i opozitës ka status ministri.
Me burleskun e zi të fundit në sallën e Kuvendit, shumica aktuale tregoi se i ka humbur nervat dhe nuk është në gjendje t’ia sigurojë Republikës së Shqipërisë një rrotacion normal.
Ish Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pra, gjithnjë e më shumë kutërbon nëpërmjet ekraneve të vogla erë të gubët të padurueshme, çka e bën të pashmangshëm çrrënjosjen sa më të plotë të konfiguracionit dhe përbërjes aktuale të institucionit.
