Prona tek (më) i zoti
Me sytë nga qielli
U bënë ditë që disa qytetarë shqiptarë që përfaqësojnë me mijëra shtetas korrekt dhe qiramarrës në dekada, ndodhen në grevë urie sepse janë nxjerrë në rrugë pasi objekti ku banonin po i rikthehet pronarit me një akt normativ qeveritar që lau duart me ta. Që ndonëse sfidoi dy vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që e vinin theksin tek siguria juridike e shtetasve, e vuri përfund këtë të fundit duke e detyruar të bënte harakiri juridike dhe diskreditonte vetveten me mbylljen e syve ndaj tij.
Shtëpitë pronarëve legjitim u duhen kthyer, shoqëruar me ndjesë për privimin e gjatë. Ndërkohë banorëve në to, që u futën nga shteti dhe nuk i zunë arbitrarisht siç syresh bënë me tokat e të tjerëve, u takon i njëjti trajtim dinjitoz sikundër 230 mijë familje më 1992 që i privatizuan thuajse falas banesat ku banonin.
Nuk ndodhi, përkundrazi, pronarë dhe banorë u braktisën nga të dyja palët e politikës duke diskretituar si vokacionet e rreme majtas apo djathtas të saj ashtu dhe alibitë me reminishenca të luftës së klasave që demokracia nuk i njeh si kriter.
Zhgënjyese si për pronarin, ndonëse PD përbetohet për pronën private, ashtu dhe banorët që mbajtën shpresa më kot në dy mandate qeverisëse të PS dhe tre mandate të kryebashkiakut socialist. Përjashtuar këtu një trajtimi ligjor korrekt të qeverisë Meta, që më pas u zhbë nga qeveria Nano dhe parlamentarë pa integritet socialist që për të njëjtën gjë votuan dy herë ndryshe, mjaft prej të cilëve janë sot edhe në ekipin e rilindjes(!)
Kur lotarinë e fatkeqësisë e hedh shteti!
Prona nuk mund të trajtohet me dy kute dhe ajo, qoftë shtëpi, tokë etj, duhet ti shkojë të zotit dhe shteti duhet ti dalë për zot atyre që preken prej rikthimit të saj banorë në shtëpi të privatit, të ardhur në tokat e tjetrit etj, në respekt të Kushtetutës që e shpall atë të shenjtë.
Banorët pa çati duhet të trajtohen me emergjencë prej pushtetit lokal i cili në bashkëpunim me atë qendror, duhet tu ofrojë (a) banesë, qoftë prej tregut të lirë apo sociale me çmim ekuivalent të 1992 indeksuar me inflacionin apo (b) grant në përputhje me vlerën e ndërtimit të një banese sipas kostos së EKB.
Një shtet që dhuron majtas-djathtas për klientelizëm siç është rasti më i fundit i faljes së hapësirave të ish-fabrikave për banorët që kanë hyrë në to, privatizon gjithçka që sheh syri, merr kredi të pajustifikuara për shpenzime buxhetore, denoncohet për shpërdorime milionash tenderëve në qeverisje etj, i gjen kollaj fondet për këto familje në nevojë sa kohë sloganet qytetari i pari apo rilindja nuk janë thjesht për retorikë.
Dikush mori tokën dhe banesën e të parëve, banesën e monizmit, dyqanin ku punonte dhe që sot vlen miliona, WC publike dhe e konvertoi në restorant, makinën që ngiste, tokën e fermës ku punonte etj ndërsa dikush merr thjesht qiell të hapur dhe indiferentizëm o Mete për vete vrastar për një shoqëri pa shtet që e konsideron fatkeqësinë lotari.
Sa kohë politika guxon e trajton votën e lirë si mall pa zot, prona legale pëson të njëjtin fat duke u shndërruar në instrument klientelist dhe elektoral pavarësisht logos qytetari i pari apo rilindje. Nëse qenka kaq kollaj dhe gjërat u zgjidhkan me akte normative, atëherë i njëjti trajtim duhet të bëhet edhe për pronarët e tokave sepse drejtësia dhe zbatimi i ligjit nuk mund të kenë disa kute në varësi të personave që e thyejnë atë.
Ndryshe nga rikthimi i banesave ku banorët në to ishin me letra, për abuzuesit e tokës, politika jo vetëm nuk guxon të kërkojë zbatimin e ligjit por përkundrazi futet në garë për premtime tapish dhe infrastrukturë (lexo: sërish prej xhepit të shoqërisë) ndonëse ata u kuturisën dhe e rrethuan me përkrahjen e vetë politikës tokën private dhe publike, duke mos lëshuar as pronat nga zonat që vinë(!)
Qytetërimi anglo-sakson që lakmohet nga të gjithë, është i tillë se nuk e toleron padrejtësinë (askush nuk guxon të grabisë si person apo në tufë), nuk e motivon atë (zëreni tokën se jeni tanët), nuk bën drejtësi duke lënë padrejtësi pas (banesat pronarit, banorët në rrugë), nuk legalizon padrejtësi që krijon tjetër padrejtësi (tapi për të ardhurit, pronarët tek gardhi) etj duke iu gjendur në krahë shtetasit ligjzbatues përballë intimidimit të më fortit.
Një zgjidhje parimore për tokën
Ndonëse në origjinë toka është dhe mbetet pronë ekskluzive e natyrës, sa kohë kemi pranuar një shoqëri të bazuar tek malli, të respektojmë pronësinë legale mbi të. Që akti normativ rreth banesave të tingëllojë i sinqertë, pronarët e tokave duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë.
Duke filluar nga rishikimi pa komplekse elektorale i ligjit 7501 dhe kushtëzimin e tapisë për ata që e kanë zënë atë, private apo publike qoftë. Si me ofertën e një (a) zbritjeje për pagesë të menjëhershme sipas vlerës reale të tokës, (b) ndërmjetësimin shtetëror për kredi të butë që mundëson pagesë imediate për pronarin legjitim apo buxhetin duke llogaritur këtu edhe vlerën e tokës që syresh disponojnë nga zonat që vinë, dhe në pamundësi pagese, (c) një afat të caktuar qiramarrjeje me të drejtë rinovimi më pas etj.
Zgjidhje këto që respektojnë si titullin e pronësisë, pretendimet financiare të pronarit, investimet e të ardhurve, sigurinë juridike të tyre, të drejtën për investime në infrastrukturë etj.
Vaksinë apo serum për tranzicionin pafund!
Sikurse vota e lirë, edhe prona nuk ka ngjyrim politik ndaj qoftë koalicioni i rilindjes majtas apo ai i mirëqenies djathtas, duhet të heqin dorë nga të qenurit zot në mallin e tjetrit dhe të respektojnë pronën legjitime duke i dhënë fund maskaradës së plotësimit pafund të dokumenteve që myken sirtarëve të pushtetit ndërkohë që brezat shuhen duke mos lënë pas asgjë.
Prona përbën një element strategjik që promovon si kohezionin social, normalizimin e shtetit ligjor demokratik dhe deri mbrojtjen e interesave kombëtare dhe gjeopolitike, sikundër e konceptojnë edhe fqinjët tanë, që nuk lejojnë pronësi të saj për këdo në brezin kufitar, ndërkohë që tek ne shqiptarëve autoktonë u rrofshin letrat, se pronat e tyre janë nën emrin e pakicave etnike deri me spekulimin që tapitë e dhuruara mund ti hipotekojnë edhe jashtë.
Përpara se parlamenti shqiptar të ngrejë komisione groteske hetimore për kapje flokësh apo tërheqje veshësh, le të kapë demin prej brirësh dhe ti japë dinjitet vetvetes duke i dhënë dinjitet pronarit legjitim. Vaksina antitranzicion e ka emrin votë e lirë dhe pronë legjitime. Pa to, rilindja bitiset në hashashin e radhës elektoral si serum për tranzicionin që duam të lëmë pas.
