E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super gënjeshtra: U pastrua ajri i Tiranës

basha e berishaaaNga Lavdosh Ferruni

Për herë të parë pas 10 vitesh banorët e kryeqytetit kanë thithur ajër të pastër. Për herë të parë në 1 dekadë, ndotja është brenda normave të lejuara nga Bashkimi Europian - dha lajmin TV Klan.

Lajmi u vu në gojën e një specialisti të Institutit të Shëndetit Publik dhe i referohet raportit vjetor të monitorimit të cilësisë së ajrit të Tiranës të vitit 2012.

Më pas TV Klani shtron pyetjen: Por si ndryshoi situata alarmante në kryeqytet sa i takon ndotjes se ajrit, së cilës nuk i jep përgjigje, por lë të nënkuptohet se kjo përmbysje e situatës alarmante ka ardhur si rrjedhojë e punës së kryetarit të Bashkisë dhe masave të Qeverisë.

Për të rritur besueshmërinë e lajmit premtohet: Rezultatet e monitorimit te cilësisë së ajrit, shumë shpejt (natyrisht pas zgjedhjeve) qytetarët do të kenë mundësi ti shohin në çdo kohë, në dy monitorë që do të vendosen në qendër.

Shumë e çuditshme është se mbajtja e qëndrueshme dhe ulja e mëtejshme e ndotësve të ajrit konsiderohet nga raportuesi i Klan si sfidë për specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, pra pikërisht këta specialistë që bëjnë matjet e ndotjes së ajrit dhe raportojnë për të paskan në dorë pastërtinë e ajrit të Tiranës.

Mjafton ti hedhësh një sy vetë burimit të këtij lajmi, raportit zyrtar vjetor të Institutit të Shëndetit Publik të monitorimit të cilësisë së ajrit të Tiranës botuar në mars 2013 për tu bindur që kemi të bëjmë me një super gënjeshtër. Në raport thuhet: Qyteti i Tiranës përballet me ndotjen më serioze të ajrit në Shqipëri dhe konkludon se edhe pse ka një përmirësim të përmbajtjes së grimcave në ajër krahasuar me vitin 2011, Tirana vazhdon të mbetet një qytet me ajër të rrezikshëm për jetën në qendrën e saj. Indeksi shëndetësor i cilësisë së ajrit… qëndron përsëri pranë atij që konsiderohet kufi i ajrit të rrezikshëm për jetesën e popullatës.

Tani, papritmas na del se Tirana nga qytet me ajër të rrezikshëm për jetesën e popullatës bëhet qytet me standarde europiane.

Mundësia më e madhe është që ndotja e Tiranës të jetë akoma më e rrezikshme se çështë raportuar në raportin vjetor dhe shanset janë se me politikat që po ndiqen do përkeqësohet më tej.

Në raport të ISHP pohohet se ndotja e ajrit në Tiranë shkaktohet së pari nga densiteti i zhvillimit dhe pozicionimi i saj gjeografik dhe se trafiku rrugor është burimi kryesor i ndotjes, të cilit i shtohen aktiviteti i ndërtimit dhe ngrohja e banesave.

Duke u nisur nga shkaqet e ndotjes të identifikuar si më sipër pyetja shtrohet a janë bërë përpjekje për të zvogëluar efektin e këtyre shkaqeve?

Së pari, a është zvogëluar densiteti i zhvillimit apo mbajtur ky densitet stabël? E kundërta ka ndodhur. Me planin e ri rregullues të Tiranës, qyteti është planifikuar të densifikohet akoma edhe më. Kështu, nga 4,000 banorë për km2 që është standardi europian dhe 15,000 banorë/km2 që është sot Tirana është parashikuar të bëhet 25,000 banorë/km2.

Lejet e ndërtimit kanë filluar të jepen dhe ndërtimet e reja gjithashtu kanë filluar. Pritet këto 2 muaj deri në zgjedhje të ketë një fluks të shtuar të ndërtimit. Kjo pa asnjë dyshim do të përkeqësojë në ekstreme të reja ndotjen e ajrit.

Së dyti, vetëm në vitin 2012, pas heqjes së taksës doganore për makinat e vjetra u importuan 52.000 makina, nga të cilat vetëm 1.800 ishin të reja, dhe 80% të prodhuara më shumë se 10 vjet më parë.

Rritja me mbi 3 herë e makinave të hyra në Shqipëri brenda 1 vitit ndodhi pavarësisht taksës së lartë vjetore të qarkullimit për makinat e vjetra. Natyrshëm pritet një rritje tjetër e madhe e importit të makinave të vjetra tani pas stimulimit nëpërmjet vendimit të fundit për përgjysmimin e taksës së qarkullimit të këtyre makinave. Askush nuk ka dyshim se me një numër disa herë më të madh të makinave të vjetra në qarkullim do të kemi jo përmirësim, por përkeqësim të ndotjes së ajrit, sidomos në Tiranë.

Nga ana tjetër në Shqipëri është llogaritur që rreth 70% e makinave që qarkullojnë janë të standardit Euro 2, që në BE nuk mund të futen në qarkullim.

Një nga mënyrat më të suksesshme për reduktimin e ndotjes së ajrit në Tiranë do të ishte dekurajimi i përdorimit të makinave në përgjithësi duke inkurajuar një përdorim masiv të biçikletave në Tiranë. Ajo që ka ndodhur është se tashmë edhe ato pak korsi biçikletash që ishin hapur janë përdhosur keqazi dhe janë bërë të papërdorshme. Mjafton të shohësh korsinë para Ministrisë së Transportit, që është gjithnjë e parkuar nga makina.

Nga kjo që shohim e dëgjojmë ajo që mund të rekomandonim është të bëhet kujdes e të ulet steka e gënjeshtrës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›