E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, deputetët e PD-së, sulm frontal opozitës

Seanca Deputeti demokrat, Spaho: Nuk duhet ta shpërdorojmë gazin lotsjellës për këta lloj deputetësh

Ka qenë një seri deklaratash të deputetëve të Partisë Demokratike që kanë sulmuar ashpërsisht deputetët e tyre të opozitës, gjatë punimeve të ditës së djeshme të seancës plenare të Kuvendit. Në atë që tashmë quhet si “kohë e lirë” apo 30 minutëshi i diskutimeve të lira, e cila është zhvilluar paralel me fjalimet në mitingun e opozitës, deputetët e PD-së kanë sulmuar egër grevistët e urisë dhe liderin socialist Edi Rama. E gjithë kjo atmosferë është zhvilluar si një shou mediatik, pasi si mitingu ashtu edhe Kuvendi transmetoheshin njëkohësisht ‘live’ nga televizionet informative në vend. Deputeti i Partisë Demokratike, i zgjedhur në Qarkun e Korçës, Edmond Spaho, ka akuzuar parlamentarët socialistë të qarkut të tij, të cilët, sipas Spahos, kanë provokuar policinë gjatë protestës në rrugën nacionale. Deputeti i Partisë Demokratike hodhi poshtë deklaratat se policia ka përdorur gaz lotsjellës, por ka shtuar se “të përdorësh gazin për ata deputetë, është njësoj si ta shpërdorosh. As në Rusi dhe Bjellorusi nuk gjen kalbësira të tilla. Skena prej rrugaçësh që u përpoqën të bllokojnë rrugën kombëtare”. Ndërsa parlamentari tjetër i PD-së, Flamur Noka, përveç deputetëve të Partisë Socialiste, si dhe kryetarin Edi Rama, nuk ka kursyer as këngëtaren Elsa Lila, e cila që prej së dielës është ngujuar në grevë. “Vajza që ka urryer nënën e saj bëhet njësh me vrasësit e nënës”, theksoi Noka, i cili vazhdoi: “Opozita është e dhunuar dhe e përçudnuar, pasi është kthyer në një organizatë anarkistësh revolucionarë”. Ndërsa deputetja e PD-së, nga Qarku Korçë Aliolli është marrë me sulmin ndaj femrave deputete të PS-së, që janë në grevën e urisë, për njërën nga të cilat tha se ka blerë një çantë 5 mijë euro. Por deputetja e PD-së ka shkuar më tej kur e ka akuzuar ish-kryeministrin Pandeli Majko se nuk ka asnjë të përbashkët me Korçën. Deputeti i PD-së nga Berati, Lefter Maliqi, ka sulmuar në fjalimin e tij aleatët aktualë të opozitës. Sipas Maliqit, “Ngjela është fotokopja e shëmtuar e Marko Panelës, Preç Zogaj ka deklaruar se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, ndërsa Ndoka, i gjashti i ‘Heronjve të Vigut’, është i pashkollë”.
Në seancën e djeshme ka diskutuar edhe deputeti i PD-së, kreu i të rinjve demokratë, Gerti Bogdani, i cili nuk ka pasur sulme verbale, por vetëm është rreshtuar kundër kauzës që socialistët po mbrojnë me grevën e tyre. Por pas Bogdanit në podiumin e Kuvendit është shfaqur deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili nuk ka kursyer kolegët e tij socialistë. Duke iu drejtuar parlamentarëve të mazhorancës, Paloka tha se “nuk duhet të na vijë keq për deputetët grevistë, pasi ata janë si kokrra e mollës”. Dhe në fjalinë pasardhëse, Paloka e “ka trashur” pak si shumë gjuhën e tij kur ka sulmuar gratë greviste. “Si i lejojnë burrat e tyre që bashkëshortet të bëjnë dush poshtë zyrës së Berishës”. Pas diskutimeve të lira, Kuvendi ka kaluar me një kohë rekord projektligjet që ka pasur në rendin e ditës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›