E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi dështon për Gjykatën e Lartë

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës akuzuan njëri –tjetrin për këtë ligj, i kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian në kuadër të 12 kushteve të vëna ndaj Shqipërisë. Duke qenë se opozita nuk dha shenja konsensusi, ligji u shty për një herë tjetër, ose e siç tha kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli: “Kur t’i mbushet mendja opozitës”.

"Nuk do ta hedhim në votim deri sa t'u mbushet mendja juve", iu drejtua Topalli deputetëve të opozitës. Ligji kaloi ka konsensus edhe në komisionin parlamentar të Ligjeve, teksa opozita ka vënë si kusht të saj zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për Qarkun e Fierit. Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha më heret se opozita kërkon nga ky ligj dhe drejtësia atë që ka kërkuar edhe Brukseli. Ai akuzoi mazhorancën se nuk dëshiron të kryej reformën në drejtësi.

“Mazhoranca nuk donte ta miratonte këtë ligj dhe kur e kishte futur në kalendar, e kishte futur për të mos e miratuar. Mazhoranca do të kishte kërkuar kontributin e opozitës se pa të nuk mund ta miratonte. Opozita me shumës seriozitet ka qenë e gatshme të japë ndihmën e saj, pas konsultimeve të shumta që ka bërë me specialistë. Nëse donit ta kishit miratuar, e a do të shqetësoheshit për opozitën dhe a do të kërkonit votat e saj? Vetëm anatemi dhe disinformacion në Parlament. Po të donte vërtetë ta miratonte, ua ka thënë qysh ditën e parë dhe ua porositi këtu, kur u hap seanca, mirëpo kryeministri u shpreh se do të jem edhe 35 vjet kryeministër”, tha Ruçi në fjalën e mbajtur.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka kërkuar që të zbatohen të gjitha vendimet e gjykatave. “Sot, atje ku ju kini lidhje direkte, ata vetë kanë kërkuar që të zbatohen të gjitha vendimet e gjykatave. Kur Brukseli kërkon dhe opozita kërkon mungesën e pavarësisë dhe opozita bën avokatinë pikërisht për këtë kusht. Është kusht pandëshkueshmëria dhe shkelja e ligjit. Pikërisht këtë kërkon opozita zonja ministre. Kusht tjetër është liria dhe të drejtat e njeriut. Që 300 mijë zgjedhin vendosin kush do të qeverisë dhe ti thua vendos unë. 16 apo 17 vendime gjykate, t’i u thua jo”, shtoi ai.

Patozi: Opozita po bllokon integrimin

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, theksoi në seancë, se opozita po synon bllokimin e procesit të integrimit. "Rama mendon se rruga jonë për në Bruksel kalon patjetër nga Fieri. Ky është një tjetër bllokim primitiv i tij, pasi ai po tenton të hedhë në kosh axhendën kombëtare të integrimit për kolltukun e tij personal", tha Patozi. "Sot vendimi i formës së prerë është sërish bllokimi i p/ligjit "Për Gjykatën e Lartë", për të cilin PS nuk ofroi asnjë amendament, pasi i vetmi amendament ishte kërkesa e saj për zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit", vijoi ai. Patozi tha se për maxhorancën nuk ka rëndësi nëse qeveris një qark më shumë apo më pak, por është ligji ai që vendos.

"Ne as japim, as heqim mandate. Ne nuk na lejohet të bëjmë pazare, aq më tepër për karrigen e një kryetari qarku. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse mjerim i opozitës. Duke refuzuar pazaret kjo mazhorancë po i ruan nderin edhe opozitës. Në BE nuk do kalojnë vetëm shqiptarët e mazhorancës. Qëndrimi 'na jepni Fierin se ju japim integrimin' është pa logjikë. Sot ishte një rast për të treguar se sa seriozisht e marrim ne BE-në", theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, gjatë debatit të sotëm në Kuvend për p/ligjin "Për Gjykatën e Lartë".

Bregu: Ligji i Gjykatës së Lart kusht nga BE-ja

Duke folur për pjesën që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vuri theksin se kushti i vënë nga Bashkimi Evropian. Bregu tha se që nga marrëveshja politike e 14 nëntorit 2011, mes mazhorancës dhe opozitës palët kanë realizuar bashkërisht jo pak, por 120 masa. 

"Kemi plotësuar së bashku detyrimet kryesore më të mëdha e më të rëndësishme, madje dhe aty ku ishte e vështirë arritja e konsensusit në këtë proces", u shpreh ajo. Bregu solli në vëmendje mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për dy vjet rresht, për shkak të bllokimit të këtij procesi nga opozita, e cila tha ajo sërish po tenton të bllokojë miratimin e ligjit "Për Gjykatën e Lartë".

"Sot, fatkeqësisht, po tentohet sërish një ngritje e murit të radhës me "Gjykatën e Lartë", një ligj i kërkuar si kriter për të përmirësuar emërimet, në bazë të meritës, në sistemin e drejtësisë. Rekomandimi "Për Gjykatën e Lartë", është pjesë e detyrimit brenda prioritetit 7 për strategjinë në drejtësi, e cila është zbatuar në masën 68% të saj", tha Bregu.

Duke e konsideruar të vetmen çështje të mbetur pezull, nga ky prioritet, ministrja i bëri apel deputetëve të opozitës që të reflektojnë në qëndrimet e tyre, ndërsa pritet vendimi i Brukselit për Shqipërinë. "Sot mos mendoni si lokalë, por mendoni si kombëtarë. Kemi një vendim që është jo më larg se dhjetë ditë që do të jepet për Shqipërinë dhe ju(opozita) pavarësisht retorikës që po ngrini në Kuvend, doni të ketë një vlerësim pozitiv, i cili na jep një argument më të mirë të gjithëve për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë", tha ministrja Bregu. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-27 17:10
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›