E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi do të zgjedhë anëtarët e KQZ-së

03/02/2009  Ngritja e institucionit

Pritet që në seancën e pasdites Kuvendi të miratojë emrat e propozuar nga partitë politike për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Emrat e propozuar për anëtarë dhe zgjedhja e kryetarit të institucionit që do të administrojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, mes dy kandidaturave të propozuar, do të kalojnë fillimisht në Komisionin parlamentar të Ligjeve. ky komision, sipas përcaktimit në rregulloren e Kuvendit, do të zhvillojë seancë dëgjimore me secilin kandidat dhe do t’ia përcjellë më pas seancës plenare. Konkretisht PD-ja ka propozuar për t’u përfaqësuar në KQZ emrin e Hysen Osmanit dhe Vera Shtjefnit, ndërsa PS-ja do të jetë e përfaqësuar nga anëtarja aktuale Dëshira Subashi dhe Artan Laze. Partia Socialdemokrate ka propozuar për një vend në KQZ Pandeli Varfin dhe Pavli Zërin, ndërsa Partia Republikane ka dorëzuar në Kuvend emrin e Klement Zgurit, edhe ky anëtar aktual i KQZ-së, dhe Arben Braçen. Në bazë të Kodit, grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare i paraqet Kuvendit kandidaturat për anëtarin e shtatë, i cili është njëkohësisht kryetar i KQZ-së. Për kreun e komisionit që do të administrojë procesin e 28 qershorit, ligjvënësit do të zgjedhin mes emrit të Albana Vokshit dhe ish-kandidatit të KQZ-së Arben Ristani. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive kryesoren në vend, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, procesi i votimit pritet të shkojë normal, pa ndonjë surprizë, që mund të shtyjë për një kohë më vonë ngritjen e KQZ-së. Me ngritjen e këtij institucioni, anëtarët së bashku me administratën e tij do të nisin përgatitjet e infrastrukturës së duhur zgjedhore për realizimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm. Mënyra se si do të realizohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të përbëjë një faktor të rëndësishëm mbi ecurinë e proceseve integruese të mëtejshme të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›