E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet fluksi i pacientëve në pavijonin e alergjive dhe pneumonisë

03/02/2009  Pediatria, mbipopullimi 4 shtrime në një dhomë

Urgjenca e pediatrisë nga dita në ditë po shënon rritje të numrit të pacientëve që paraqiten me komplikacione shëndetësore, që shkaktôhen prej luhatjeve të vazhdueshme të temperaturave. Sipas mjekëve, më shqetësues ky problem rezulton të jetë në pavijonin e alergjive dhe pneumonisë në pediatrinë e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, e cila është mbipopulluar nga pacientë të vegjël të prekur nga viroza. Shefja e këtij pavijoni pohon se të gjithë shtretërit janë të zënë, madje në disa dhoma ka më shumë se dy paciente, për shkak se prej disa muajsh kapacitetet e këtij shërbimi janë pakësuar edhe si pasojë e rikonstruksionit të një pjese të spitalit pediatrik. Mjekët pohojnë se simptomat më të shpeshta të shfaqura te fëmijët kanë qenë ato të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe veçanërisht infeksionet respiratore, që në shumë raste shoqërohen dhe me temperaturë të larta, çrregullime gatsrointensinale dhe rënie të imunitetit trupor. Ndaj kësaj kategorie këshillohet të bëhet kujdes i veçantë, sidomos në rastet kur këto viroza shkaktojnë temperaturë të lartë. Në rast se nuk bëhet trajtimi i duhur në kohë, atëherë fëmija paraqet komplikacione dhe probleme të rënda në shëndet. Njëkohësisht mjekët pohojnë se duhet bërë kujdes i veçantë dhe në mosmarrjen e qetësuesve apo barnave të tjerë në farmaci pa u këshilluar më parë me mjekun specialist. Lidhur me rikonstruksionin e pavijonit të alergopneumonisë ende nuk është realizuar. Aktualisht kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e spitalit infektiv, por pacientët ende nuk janë transferuar në ambientet e reja. Këta pacientë trajtohen në disa dhoma të pavijonit të alergopneumonisë, gjë që ka shkaktuar dhe këtë gjendje. Drejtuesit e këtij shërbimi kanë kërkuar që rikonstruksioni i godinës së tyre të mos nisë në stinën e dimrit, për shkak se në këtë kohë pritet dhe numri më i madh i rasteve të shtruara me komplikacione gripi, gjë që do të rëndonte situatën, duke rrezikuar që fëmijët të mos marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›