Dy në pranga, të dyshuar për grabitje me armë

Vlorë, 3 Shkurt, 12:43, NOA - Dy persona të dyshuar si grabitës me armë janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga Policia e Vlorës. Burime zyrtare nga uniformat blu lokale, thanë për agjencinë NOA se, janë prangosur dy persona të cilët kanë tentuar të grabisin me armë.
Sipas tyre, dy personat e arrestuari janë Dritan Muça, 26 vjeç dhe Gentjan Luzaj 38-vjeç.
Këta të dy sipas policisë, kanë tentuar të grabisin një familje duke përdorur armët. Ata nuk kanë mundur të bëjnë grabitjen pasi kanë hasur në rezistencën e familjes.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se, ngjarja ka ndodhur një natë më parë në fshatin Nartë. Tentativa e grabitjes ndodhi në familjen S. Papa.
Grabitësit kishin tentuar t’i merrnin lekët familjes Papa, por u ndeshën me reagimin e pjesëtarëve të saj. Tentativa e grabitjes u bë me armë gjahu.
Pas kësaj ngjarjeje familja viktimë ka njoftuar policinë dhe këta të fundit kanë mundur që brenda pak kohësh të arrestojnë të dyshuarit.
a.h/NOA