E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi niset drejt Sofjes, për të marrë pjesë në Samitin për gazin natyror



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, u nis dje për në Bullgari, ku do të marrë pjesë në Samitin "Gazi natyror për Europën: Siguria dhe Partneriteti", që do të zhvillohet në datat 24-25 prill në Sofje. Me ftesë të Presidentit të Bullgarisë, Georgi Parvanov, në këtë samit do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh dhe drejtues të lartë të 28 vendeve nga Europa Juglindore, rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Azia Qendrore, të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së etj. Politika europiane për energjetikën, marrëveshjet e reja ndërkombëtare në shërbim të sigurisë energjetike në rajonin ballkanik dhe në mbarë Europën, zbatimi i projekteve për transportimin e energjisë, mundësitë e zbutjes së situatës së krizës sa i përket gazit natyror në Europë, janë disa nga temat kryesore që do të trajtohen nga pjesëmarrësit në këtë samit. Gjatë punimeve të Samitit për Energjetikën, Presidenti i Republikës do të mbajë fjalën në njërën prej seancave plenare. Po ashtu pritet të ketë takime me homologë të tij dhe personalitete të tjera të larta pjesëmarrëse në Samit.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›