E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, Pr/buxhetin 2010

PRISHTINE- Me votat e deputetëve të koalicionit PDK-LDK, Kuvendi i Kosovës e miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2010 në vlerë prej 1 miliardë e 461 milion euro, ose 6 % më i lartë se buxheti i vitit 2009. Kryeministri Hashim Thaçi, e quajti projekt buxhetin si buxhet të zhvillimit pasi, siç tha ai, përmes tij parashihet rritje ekonomike prej 5 % në vitin e ardhshëm.

Shpjegimin më të detajuar për projektbuxhetin e bëri ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Sipas tij edhe këtë vit fushat të cilat do të përfitojnë më së shumti nga buxheti janë transporti, energjetika, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, siguria, drejtësia dhe bujqësia.
Me miratimin e buxhetit 2010 do të fillojnë dy projekte të rëndësishme: autostrada Vermicë-Merdar dhe Universiteti i Prizrenit.

Para fillimit te debatit kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa Gani Koci kërkoi nga qeveria që në draftin final të buxhetit të ketë parasysh edhe çështjen e rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK.

Beshteje për projektbuxhetin ofroi Safete Hadërgjonaj, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së.

Gjatë debatit parlamentar disa deputetë ngritën shqetësime se projektbuxheti është ndarë në atë mënyrë që favorizon rajone të caktuara të Kosovës, por në këtë çështje ndërhyri vet kryeministri duke mohuar pohimet e tilla.

Pas përfundimit të debatit disa orësh, Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2010 u votua në parim nga 68 deputet, kundër ishin 14, ndërsa 3 abstenuan.
(m.a/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›