Kuvendi i Kosovës përgatit aktpadi ndaj Karla del Pontes
“Shpifjet” e ish-kryeprokurores të Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, në adresë të UÇK-së, mund dënohen me një deklaratë politike ose ndaj saj mund të nisë një aktpadi gjyqësore. Siç shkruante në numrin e djeshëm gazeta “Koha ditore”, këtë do ta vendosë brenda dy javëve Kuvendi i Republikës së Kosovës nëse shumica parlamentare do të mbështesë kërkesën e deputetit kosovar Berat Luzha. Në seancën e radhës legjislativi i shtetit të Kosovës do të mund të niste një aktpadi ndaj ish-kryeprokurores Del Ponte për “shpifjet e saj ndaj UÇK-së”. Kërkesa e iniciuar nga Luzha, sipas kësaj gazete, është mbështetur nga pesë deputetë të tjerë dhe si e tillë është trajtuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 29 prill. Konform rregullores së Kuvendit të Kosovës, kjo kërkesë i plotëson kushtet për t’u futur në rend dite të seancës plenare, brenda tre javësh, nga dita e procedimit të saj në Kuvend. Meqë kërkesa e Luzhës është dorëzuar në Kuvend më 25 prill, asaj i kanë mbetur vetëm dy javë për t’u shqyrtuar nga ana e ligjvënësve. Në librin e saj “Gjahu: Unë dhe kriminelët e luftës” Del Ponte hedh akuza ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët, sipas saj, kanë rrëmbyer, vrarë dhe më pas u kanë marrë organet ushtarëve serbë. Akuzat e ish-prokurores së Hagës, e cila në librin e saj “Gjahu” bën fajtorë kosovarët për masakrimin e civilëve serbëve janë hedhur poshtë nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, por edhe nga autoritetet e tjera kosovare. Ajo i ka konsideruar këto akuza fabrikime të pastra të Del Pontes apo të vetë Serbisë. “Kam pasur katër takime private me Karla del Ponten dhe ajo asnjëherë nuk i ka ngritur këto akuza”, - është shprehur Kelmendi disa ditë më parë.
Në librin e saj Del Ponte shkruan se rreth 300 njerëz, shumica civilë serbë, janë dërguar me kamionë nga Kosova në Burrel të Shqipërisë në qershor të 1999-s, nga ku një pjesë janë përdorur për trafik organesh dhe për këtë veprim ishin në dijeni edhe anëtarë të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkohë, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, “Human Right Watch”, u ka kërkuar autoriteteve kosovare, nëpërmjet një letre, të hetonin pretendimet e ish-prokurores së Hagës të publikuara në librin e saj. Del Ponte aktualisht është ambasadore e Zvicrës në Argjentinë. Kritika të shumta pati rreth fakteve të paraqitura në librin e saj edhe nga autoritetet zvicerane, të cilat i bënë thirrje ish-shefes të Hagës të qëndronte larg këtyre akuzave për sa kohë mbante postin e ambasadores së këtij vendi.
5 Maj 2008