Kuvendi i Kosovës, seancë solemne për të përkujtuar 4-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Obama dhe Klinton urojnë Pavarësinë
Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne për të përkujtuar katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga theksoi se Kosova do ta bëjë realitet ëndrrën shumëvjeçare pasi ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. “Përvjetori i katërt i Pavarësisë së Kosovës e gjen vendin të pavarur dhe me 87 njohje të shtetit. Liria dhe Pavarësia e vendit janë gërshetim i të gjitha përpjekjeve të popullit për të jetuar të lirë e me dinjitet. Ideja jonë për Pavarësi ishte një gërshetim i një platformë largpamëse dhe mençurisë. Kjo ditë na bën të ndihemi krenarë për këtë rrugë dhe të kujtojmë të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe që punuan për të mirën e kombit dhe Atdheut për të ndërtuar Kosovën, shtet të lirë dhe pavarur”, deklaroi Jahjaga.
Ajo theksoi se duke kremtuar Pavarësinë përkujtohen edhe dy udhërrëfyesit e Kosovës së lirë, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe heroi legjendar Adem Jashari, të cilët tha ajo janë ata që përcaktuan edhe fatin e atdheut dhe popullit të Kosovës.
“Ne nderojmë edhe të ardhmen tonë pasi programi politik rreth të cilit u bashkuam ishte i drejtë, dhe i bazuar mbi vlerat evropiane”, tha Jahjaga, duke nënvizuar se Kosova do t’i detyrohet gjithnjë bijve dhe bijave më të mira të vendit që dhanë jetën dhe sakrifikuan për Pavarësinë e lirinë e Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë, theksoi Jahjaga, duke vlerësuar këtu se Kosova gëzon mbështetjen e SHBA-ve në këtë proces të pakthyeshëm.
Presidenti i SHBA, Barack Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama përmes një telegrami drejtuar presidentes se Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar 4 vjetorin e Pavarësisë. Obama vlereson perparimin e bërë në ndërtimin e demokracisë, inkurajon për ndertimin e nje te ardhmeje me te mire dhe garanton se SHBA do te mbeten partner i forte per Kosoven dhe popullin kosovar.
“Që nga shpallja e saj si shtet sovran, i pavarur, më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në ndërtimin e një demokracie multietnike, pluraliste dhe tolerante në zemër të Ballkanit. Përmes angazhimit tuaj për thirrjen tuaj evropiane dhe përkushtimin tuaj për reforma të mëtejshme politike, ekonomike dhe të sundimit të ligjit, unë jam i bindur që Kosova mund të sigurojë integrimin e saj të plotë në komunitetin euroatlantik”- shkruhet ne telegram.
Me tej, ai inkurajon për më shumë punë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë popullin e Kosovës. “Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i fortë dhe ju mund të llogarisni në mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës”, përfundon urimi i presidentit amerikan.
Pavarësia, Klinton uron popullin e Kosovës
Në emër të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka uruar popullin e Republikës së Kosovës për përvjetorin e katërt të pavarësisë. “Kosova mund të jetë shtet i ri, por ju keni një të ardhme premtuese dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike”. “Përgëzoj udhëheqësit e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj aspiratave të qytetarëve kosovarë, përmes institucioneve demokratike, mundësive më të mëdha ekonomike, si dhe promovimit të sundimit të ligjit. Kjo rrugë do t’i çojë qytetarët e Kosovës drejt integrimit të plotë euro-atlantik”, thuhet në mesazhin e zonjës Clinton. Kryediplomatja amerikane ka thënë po ashtu se SHBA-ja do të punojë me popullin kosovar për një Kosovë më të sigurt, më paqësore dhe më prosperuese. Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tash është njohur nga 87 shtete. Haiti është vendi i fundit që ka pranuar shtetësinë kosovare.