Rrëshen, Topalli: Hapja e rrugëve, me çdo kusht për t’iu ardhur në ndihmë banorëve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli po ndjek orë pas ore situatën e krijuar nga reshjet e shumta të dëborës, ku për pasojë shumë zona kanë mbetur të bllokuara.
Nga Bashkia e Rrëshenit, ku dhe zhvilloi një takim me autoritetet vendore, Kryetarja e Kuvendit u informua mbi masat e marra në zgjidhjen emergjente të situatës ndërsa garantoi gatishmërinë e të gjitha mjeteve dhe shërbimeve në ndihmë të banorëve.
Duke theksuar se situata është e vështirë, për shkak të reshjeve të dëborës që vijojnë ende të bien, Kryetarja e Kuvendit theksoi se për problematikën që krijohet nga bllokimi i herëpashershëm i rrugëve, borëpastrueset, fadromat dhe mjetet e tjera me zinxhirë vijojnë pa ndërprerje punën për mbajtjen e rrugëve të hapura.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi gatishmërinë e qendrës së emergjencave, ku përmes helikopterëve, në këtë zonë është mundësuar transportimi i një 14-vjeçareje si dhe dy raste të tjera në nevojë për ndihmë të shpejtë mjekësore.
“Kjo është një situatë që nuk është parë prej dekadash. Kjo situatë është më e rëndë se ajo e vitit 1985. Dëbora është në lartësi më të madhe, temperatura janë më të ulëta se sa në vitin ‘85. Beteja jonë është me motin, ndaj dhe nuk mund të mendohet se mund të pushojë tani afër”- tha Kryetarja e Kuvendit.
Në këto raste, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, duhet të veprojmë menjëherë, nuk kemi kohë, kjo kërkon një angazhim të të gjithëve dhe solidaritet me çdo banor, të çdo komune dhe të çdo bashkie.
Ajo vuri theksin tek rëndësia që ka bashkëpunimi i ngushtë, midis banorëve, autoriteteve vendore dhe qendrore për të përballuar me sukses situatën e krijuar.
“Qarku i Kukësit, qarku i Dibrës janë me nevoja të mëdha. Puka është në vështirësi. Janë disa komuna aty, ku hapet rruga kryesore për në Puke dhe bllokohet sërish, fillohet sërish të punohet dhe pastrohet gjithë natën. Po ashtu në Gjegjan, në Fierzë, në Qelzë është një moment i vështirë. Njerëzit e drejtorisë së rrugëve, policisë, të drejtorisë kufitare, të shërbimit shëndetësor, po bëjnë një punë heroike me një përkushtim të jashtëzakonshëm” u shpreh znj. Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjitha autoritetet që janë angazhuar për t’i dhënë zgjidhje të gjitha problemeve të shkaktuara nga sasia e madhe e dëborës.
“Kjo është një betejë me motin. Është një betejë e vështirë, për fat të keq dhe e gjatë. Edhe kur hapen rrugët, pas disa orësh, ato mbyllen sërish dhe, duhet të rifillojë puna nga e para. Jam këtu për t’u dëgjuar ju, për të parë se çfarë keni nevojë. Mund të rishikohet edhe një herë rasti i vendosjes së zonave të emergjencës civile. Unë do të bisedoj menjëherë, ashtu sikurse duhet të ndihmojmë kryetarët e komunave me fondet, sipas ligjit për emergjencat” tha Kryetarja e Kuvendit.
Vëmendje të veçantë, Kryetarja e Kuvendit i kushtoi gjithashtu situatës së krijuar në Orosh, Fan dhe Selitë duke theksuar se duhet një kujdes maksimal nga ana e vet banorëve për të pastruar çatitë dhe oborret.
Një tjetër çështje themelore, tha Kryetarja e Kuvendit, është lidhja e rrugës mes qendrës së komunës me rrugën nacionale, në mënyrë që të mundësohet në mënyrë efikase dërgimi i ndihmave ushqimore, medikamenteve dhe të gjitha shërbimeve të tjera. Po aq të rëndësishme, ajo cilësoi edhe mbështetjen e kompanive që punojnë për hapjen e rrugëve.
Zonja Jozefina Topalli kërkoi nga autoritetet vendore, që ata të listojnë shërbimet për të cilat ata kanë nevojë dhe çdo ndihmë ndaj tyre do të sigurohet menjëherë.
“Të hapet rruga, të dërgohen ndihmat ushqimore, të dërgohen medikamentet dhe të gjitha shërbimet e tjera në ndihmë të banorëve. Rruga është themelore, ne duhet të jemi të organizuar 24 orë në 24. Për këtë arsye jam sot këtu, pasi kam takuar kryeministrin dhe kemi biseduar se duhet parë se çfarë nevojash ka. Ju duhet të bëni listën e kërkesave dhe t’i dërgoni. Në të njëjtën kohë le të kërkojmë mbështetjen e firmave që punojnë nëpër rrugët tona, për traktorë, për fadroma. Të gjithë duhet të angazhohemi” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.