E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia voton për presidentin e ri, sondazhet favorizojnë Putin

MOSKE - Rusia voton sot për të zgjedhur presidentin e ri. Qendrat e votimit u hapen në orët e para të mëngjesit, ndërsa procesi pritet të zgjasë deri në orën 17:00 të pasdites. Pesë kandidatë janë në garë për Kremlinin, përfshirë udhëheqësin e Partisë Komuniste, Genadi Zuganov dhe biznesmenin miliarder Sergei Prokorov.

Por kandidati favorit sipas sondazheve është kryeministri aktual, ish-presidenti Vladimir Putin, i cili shpalli kandidaturën e tij, pas ndryshimeve kushtetuese. Të parët qe iu drejtuan qendrave te votimin ishin banorët e Lindjes së Largme të vendit, ndërsa procesi zhvillohet nga Vladivostoku deri në enklavën e Kaliningradit, në detin Balltik.

Sondazhet flasin për një fitore të Putinit me 60 për qind, që do të kalonte lehtësisht pragun prej 50 për qind, duke shmangur edhe balotazhin me kandidatin e dytë që merr më shumë vota.

Dhjetëra mijëra vëzhgues zgjedhjesh kanë dalë vullnetarë për të ofruar shërbimet e tyre në zgjedhje, në përpjekje për të penguar përsëritjen e manipulimeve që ndodhën në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit. Sipas mediave ruse janë akredituar 685 vëzhgues, 219 nga OSBE-ja. Exit-Pollet e para pritet të dalin pasi të mbyllen qendrat e votimit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›